Lajme

Gazetari gjerman: A mund të destabilizohet Ballkani vërtetë nga Rusia?


Lufta e fundit në Ukrainë ka shkaktuar trazira në gjithë sferën diplomatike evropiane dhe botërore, por më së shumti ka shkaktuar edhe një frikë për rindezjen e “ish-fuçisë së barutit” që është Ballkani Perëndimor.

Me kujtime të freskëta të luftës në Kosovë, vetëm të dy dekadave më parë dhe me një situatë të tensionuar në veri të vendit, pasiguritë e stabilitetit të rajonit janë shtuar.

Mbi këtë premisë, gazetari dhe autori i njohur gjerman, Michael Martens, ka komentuar lidhur me situatën në Ballkan, duke iu referuar fakteve historike dhe një vizite, që ai ka zhvilluar në Berlin, ku ka intervistuar disa persona, referuar qasjes gjermane në tematikë.

Në fillim, ai parashtron kontekstin historik, në vitet 1990 dhe 2000, kur NATO dërgoi rreth 60 mijë trupa në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe më vonë rreth 50 mijë në Kosovë.

Sot, vetëm rreth 1 mijë syresh kanë mbetur, si mision paqeruajtës.

Por, nga ana tjetër, një Ushtri e Kosovës, tërësisht pro-perëndimore, po ngrihet në Prishtinë me ndihmën e aleancës së Atlantikut të Veriut.

Prej faktorëve kryesorë në ngritjen e kësaj ushtrie, janë edhe Forcat e Armatosura gjermane, por askush nuk flet për to.

Arsyeja, sipas Martens, i ka rrënjët tek “Plani Ahtisari”, i cili është prej themeleve të pavarësisë së Kosovës, e shpallur në vitin 2008. Në të, nuk përmenden plane për Ushtrinë, duke cituar gazetarin gjerman.

Nga ana tjetër, në atë çfarë vërtetë përqendrohet plani i ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari, është fakti se Ushtria e Kosovës nuk duhet t’i kalojë 2 mijë e 500 trupat aktive dhe duhet të ketë infrastrukturë ushtarake të lehtë.

Kjo strukturë për bazën e këtij plani, do të ishte e mjaftueshme për të mbrojtur Kosovën nga rreziqet e jashtme, deri në formimin e institucioneve demokratike në vend, të cilat do të merrnin në kontroll situatën.

Pavarësisht kësaj, në vitin 2006, prapa perdeve e prozhektorëve, Ahtisaari dhe ekipi i tij patën kontradikta të shumta, pasi për disa, cilësohej mjaftueshëm “poshtërim për Beogradin”, fakti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Prandaj, pasja e një Ushtrie të mirëfilltë për Kosovën, u pa asokohe si një hap i shtuar, i cili mund të shfaqte pakënaqësi.

Por, ishte Ahtisaari, ai i cili ra kategorikisht kundër me këtë qëndrim.

Gazetari gjerman Martens, shkruan më tej se ai e takoi në vitin 2006 ish-presidentit finlandez, së bashku me ekipin e tij, dhe Ahtisaari mbajti qëndrim të prerë se “nëse nuk do të kishte forca sigurie në Kosovë, çdo parti do të ngrinte strukturën e vet ushtarake…jo zyrtare”.

Nga ana tjetër, ai argumentoi edhe se njerëzit më të zotë, do ta kenë më të thjeshtë t’i vihen në dispozicion krimit të organizuar, i cili paguan shumë më shumë, se sa vetë shtetit të tyre.

Të njëjtën linjë mbante edhe Washington-i mbi çështjen.

Amerika, e kishte të qartë se duhet të kishte një tranzicion gradual, nga Forcat e Sigurisë së Kosovës në çështjen e mbrojtjes territoriale, si fakt i sovranitetit territorial të vendit.

Thënë gjithë kjo, pse nuk flet sot njeri për përfshirjen e Forcave gjermane në ngritjen e Ushtrisë së Kosovës? Sepse plani Ahtisaari, e shmang ngritjen e një “Ushtrie të vërtetë”.

Pavarësisht këtij fakti, Gjermania vijon të mundësojë mbështetje logjistike në këtë fushë për Prishtinën.

Një “fond sigurie”, shton gazetari, është dhënë po ashtu nga kryeministri kosovar, Albin Kurti, për Forcat e Armatosura, duke thirrur në kauzë edhe diasporën, për të dhënë kontribute.

Për Serbinë ndërkohë, gjithë situata është një rrezik që i kanoset Beogradit.

Si do të reagonte ky i fundit?

Nga njëra anë, siç e sheh Perëndimi, përmend Martens, serbët e kanë pozicionuar veten në një pozitë, ku edhe mund të sulmojnë veriun dhe i kanë resurset për këtë gjë.

Mirëpo, ky nuk është një skenar shumë realist, për sa kohë SHBA-të luajnë rol në Kosovë (rol që duket të jetë shumë afatgjatë dhe i angazhuar).

As nga Prishtina, nuk do të lejohen aventura ushtarake, për Washingtonin, argumenton gazetari.

Një situatë disi më e ndryshme, është në Bosnjë, për shkak edhe të tensioneve të brendshme.

Thënë gjithë kjo, ç’bëhet në Ballkan dhe sa rrezik ka?

Pak, sipas Martens, sepse nuk ka mjetet dhe as partnerët, për të përshkallëzuar situatën.

Megjithatë, sytë duhet të mbahen hapur, për çdo konflikt minor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore