Lajme

Gastronomët kërkojnë “vaksinën e lirisë”


Gastronomia konsiderohet sektori më i dëmtuar nga vendimet e qeverisë për masa izoluese apo kufizuese.

Arian Vranica, nga Shoqata e Gastronomeve, thotë se subvencionet që janë premtuar për sektorin e gastronomisë është dashur të fillojnë të zbatohen në fund të muajit prill ose në fillim të muajit maj, por që kjo nuk ka ndodhur.

“Sot është dita e fundit për aplikim të subvencioneve ndaj bizneseve, data 19 maj ka qenë data e fundit dhe tani ka procese të tjera të cilat mund të krijojnë polemika me ankesa, ekzekutimi i këtyre mjeteve mund të marr kohë përsëri deri në pjesën e fundit të këtij muaji dhe është kohë jashtëzakonisht e gjatë” thotë Vranica për Albanian Post.

Ai pohon se zgjidhja e duhur do të kishte qenë nëse vendimi për mbyllje të vendit dhe vendimi për subvencione ndaj gastronomisë do të merreshin në të njëjtën ditë.

“Duhej të bëhej një evoluim më i saktë i kësaj gjendje, të gjendjeve të sektorëve dhe të gjendjes epidemiologjike ku asnjëra as tjetra nuk janë bërë në mënyrë të saktë. Ne e dimë se gjendja epidemiologjike nuk është që ndryshoi në 12 ditë mbyllje përkundrazi ka qëndruar njëjtë. Në bazë të testimeve vetëm 10% e njerëzve kanë dal pozitiv më shumë pas mbylljes 12 ditore edhe tani më e shohim që pas hapjes së gastronomisë ka rënie të jashtëzakonshme të numrit të rasteve”, deklaron Vranica.

Mirëpo, pavarësisht rënies së numrit të infektuarve me COVID-19, Vranica shton se nuk ka lehtësim të masave për sektorin e gastronomisë.

“Nëse interesat e sektorit të gastronomisë shohim se po rrezikohen padrejtësisht, natyrisht se do të i kundërshtojmë në mënyrë demokratike, në qeverisjen e kaluar të Republikës së Kosovës e cila ka qenë në pushtet, ne kemi mbajtur tri lloje të protestave dhe të cilat kanë pasur parasysh ruajtjen e shëndetit publik dhe kanë qenë aktivitete shumë modeste dhe tash po e shohim që revolta është rritur sidomos në sezonin e verës, sepse sezoni i verës është sezoni ku gastronomia lulëzon”.

Vranica, thotë se Republika e Shqipërisë ka vendosur prioritet gastronominë në procesin e vaksinimit, dhe kjo ju mundëson përmirësim të situatës.

“Republika e Shqipërisë nga e hëna e kaluar ka filluar me procesin e vaksinimit të gastronomisë dhe kjo ndikon direkt në lehtësimin e masave dhe në përkeqësimin e gjendjes në vendin tonë. Këtu ndikon edhe ardhja e diasporës në vendin tonë dhe ne po rrezikojmë që të njëjtit të e ndërrojnë destinacionin e tyre duke shkuar në Shqipëri, Malin e zi etj”.

Nagip Skenderi ligjërues dhe profesor në Fakultetin Ekonomik, deklaron se ndalesat e orës policore, shkurtesat e hapjes dhe mbylljes së lokaleve kanë bërë që gastronomia të jetë sektori më i goditur në pandemi.

“Shumë kompani të tregtisë, të ndërtimeve, mandej të naftës janë subvencionuar nuk e di se çfarë kritere kanë përdorur, kurse nga ana tjetër kemi pasur gastronominë e cila ka qenë buzë rrezikut që nuk ka marrë subvencione. Mirëpo ka pasur edhe keqpërdorim të subvencioneve, në të cilat janë regjistruar punëtor që nuk kanë qenë fare në punë ose kanë qenë familjar”.

Skenderi thotë, se afër 70 mijë deri në 80 mije punëtor kanë mbetur pa punë shkaku i pandemisë më se shumti nga sektori i gastronomisë që janë goditur.

“Duhet pasur parasysh edhe faktin se shumica e gastronomisë janë me qira dhe kanë nevojë për subvencione më shumë se kurrë më parë, prandaj edhe shumica prej tyre janë detyruar të shkojnë në falimentim”.

Epikad Hoxha, kryetar i shoqatës së gastronomeve thotë se kërkesat e gastronomëve është që vera të jetë e hapur dhe të mos ketë kufizime, “në të kundërtën do të protestojmë fuqishëm” pohoi ai për Albanian Post.

Hoxha shton se Qeveria është betuar se në rast se ulen rastet me COVID-19 orari do të ndryshoj dhe masat do të zbuten, gjë e cila nuk ndodhi.

“Në takim as nuk na ftuan nga ana e Qeverisë, Shqipëria u hap, Mali i zi u hap, Serbia po hapet, bota po hapet, festivalet kane filluar në Mal te Zi , Shqipëri e Serbi …maskat po hiqen , masat u hiqen , klubet e natës po hapen , dasmat po mbahen , këngëtarët kane bërë datat në Shqipëri , rezervimet e sallave janë bërë”, thotë Hoxha.

Muharrem Shahini, drejtori i zyrës për komunikim publik nga Ministria e Financave, Punës dhe transfereve, ka thënë për Albanian Post se mjetet për shoqëritë tregtare janë ndarë me vendimin e Qeverisë në vlerë prej 6,000,000 euro.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka filluar shqyrtimin e aplikacioneve dhe ekzekutimi i pagesave të para pritet të bëhet shumë shpejt, siç u theksua edhe me lartë, Qeveria ka ndarë mjetet për këta sektorë me Vendimin nr.08/08, pra ka buxhet të mjaftueshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore