Kosova

Gashi: Njerëz të pafajshëm janë vra – s’e kam të qartë qëllimin e Marshit për Drejtësi


Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë nuk e ka të qartë qëllimin e “Marshit për Drejtësi” që u mbajt në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim si të akuzuar për krime lufte në Hagë.

“Njerëz të pafajshëm në këtë vend janë vra dhe institucionet nuk i kanë zbardhë këto vrasje, askush nuk mund ta mohojë”, tha Gashi në emisionin Pressing në T7.

“Elementi parë është që është e vërtetë që ka pas dhe ka edhe sot një organizim konspirativ të armiqve të Kosovës kundër shtetit dhe UÇK-së. Ka pasur gjithmonë armiq. Çështja e dytë e rëndësishme është se si kanë vepruar institucionet të Kosovës se si e kanë trajtuar këtë punë”, potencoi Gashi.

“Po citoj Sabri Hamitin i cili më kishte thënë se nuk mundem të mendoj kurrë se më vranë shqiptarët. E unë them se ata që i kanë bërë këto kanë pasur urdhër nga Serbia”, tha ai.

Megjithatë, Gashi ka theksuar se LDK-ja vlerëson se “drejtësia duhet t’i lihet drejtësisë”.

“Ne si LDK jemi që drejtësia të vendoset në vend. Kushdo që është keqtrajtuar për bindje politike duhet të ndahet drejtësia për atë punë”.

“Kur Ibrahim Rugova ka thënë që nuk ka pas strukturë të organizuar të UÇK-së, por vullnet të njerëzve për ta mbrojtur fshatin dhe qytetin, e kanë shpall tradhtar. Tash thonë ashtu është si ka thënë Rugova”.

Gashi pos procesit të gjykimit që ka nisur në Hagë, ka folur edhe për “transferimet” e mundshme të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në LDK.

“Ka deputetë që janë të gatshëm të vijnë tek ne, por për momentin nuk po flas. Ka edhe prej atyre që nuk kanë fol publikisht. Për momentin është e nevojshme të mos flasim”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore