Lajme

Gashi: Kurti po kërkon t’i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, ndërkohë është nën sanksione nga BE


Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në fjalën e tij në kuvend, pasi që kryeministri Albin Kurti, kërkoi që opozita t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, ka thënë se ai po e bënë këtë në një kohë kur vendi është nën sanksione, duke iu referuar masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Prishtinës si pasojë e veprimeve të qeverisë në Veri.

“Marrëveshjet ndërkombëtare, pjesa më e madhe të cilat u folën këtu, janë grante dhe përfitime të Kosovës nga BE-ja, të cilat nuk zbatohen”, tha Gashi.

“Kryeministri doli dhe foli për marrëveshje ndërkombëtare, e që në fakt e ka për detyrë që të garantojë konsensus për to”.

Partia që ai e përfaqëson, Gashi tha se i ka përkrahur të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, dhe i përkrah, “përveç marrëveshjes me OPEK-un”, teksa dha një shpjegim se pse nuk e mbështesin këtë të fundit.

“Organizata OPEK është organizata e prodhuesve dhe eksportuesve të naftës dhe anëtarë janë Algjeria, Angola, Kongo, Guineja, Irani, Iraku… dhe qeveria jonë ka bërë marrëveshje me këtë organizatë që sistemin fiskal me reformu sipas kritereve të tyre”, elaboroi.

Prandaj, theksoi ai, këtë “nuk e përkrahim ne asnjëherë”.

“Ne sistemin fiskal e ndërtojmë në bazë të kritereve të FMN-së dhe Bankës Botërore. Këto janë organizata partnere dhe të Bashkimit Evropian me të cilat ne funksionojmë”, shtoi.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, doli në foltore të Kuvendit të Kosovës dhe akuzoi opozitën se po ia bllokon qeverisjen me mos votimin e marrëveshjeve qeveritare.

“Pse nuk po na i votoni marrëveshjet ndërkombëtare, cila është arsyeja – bllokimi i Qeverisë. Po na i humbni grandet dhe kreditë e buta. Pa këto grante atëherë duhet të shpenzojmë paratë e taksapaguesve. Opozita nuk bën t’i bllokojë punët”, tha Kurti.

“Ne i kemi mbështetur marrëveshjet ndërkombëtarë sa kemi qenë në opozitë. Nga mbi 300 marrëveshje ndërkombëtare vetëm 3 nuk i kemi votuar. Po, ne si opozitë e kemi kundërshtuar marrëveshjet që kanë qenë të dëmshme. Marrëveshjet që tash po presin ratifikim nuk janë të tilla, janë marrëveshje që na japin para falë. Mos të jetë kjo temë ku pozita e opozita i thyen shpatat”, kërkoi Kurti.

Menjëherë pas tij, fjalën e mori kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Ai ia kujtoi Kurtit se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka votuar as Marrëveshjen për Stabilizim Asociimi, marrëveshja e vetme kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, nga e cila kanë ardhur fondet më të mëdha për Kosovën.

Krasniqi e Kurti në ballafaqim – i kujtohet kryeministrit që si opozitar nuk e votoi as Marrëveshjen e vetme kontraktuale me BE-në

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore