Lajme

“Garancitë” e Hovenier-it për Asociacionin


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hoveneier.

Deri më tani, që kur është pranuar më 21 tetor, publiku i gjerë kosovar nuk di pothuajse asgjë se çfarë përmban drafti i Statuti të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, përveç “garancive” që janë dhënë nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm që thonë se i njëjti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe se do të shqyrtohet nga kjo e fundit.

Për të garantuar popullin e Kosovës se formimi i Asociacionit nuk përbën rrezik për Kosovën, doli ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hoveneier.

Fillimisht, në orët të para të mëngjesit të së enjtes, ambasadori Hovenier do të thërriste një konferencë për media para ambasadës së ShBA-së, dhe arsyeja për këtë ishte pikërisht Asociacioni.

S’do të fliste vetë fillimisht, siç ndodh rëndomë në konferenca për media. Ai do t’i kërkonte gazetarëve të shumtë që ishin mbledhur që t’i bënin pyetje, në mënyrë që pastaj ta thoshte atë çfarë kishte për të thënë.

Diplomati amerikan do ta lavdëronte kryeministrin e Kosovës, për shkak se, siç tha ai, e ka kuptuar emergjencën që kërkon momenti, dhe vazhdoi të tregonte se si Albin Kurti i ka pranuar marrëveshjet në tërësinë e tyre, përfshirë atë për Asociacionin, teksa dha edhe garanci se drafti i propozuar nga Bashkimi Evropian është i mirë dhe brenda Kushtetutës së Kosovës.

“Siç e dini statuti është prezantuar nga BE, por edhe SHBA është pjesë e kësaj. Është konsideruar nga ne që respekton plotësisht Kushtetutën e Kosovës. Pozita jonë është që Asociacioni duhet të jetë brenda kushtetutshmërisë së Kosovës, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetues, nuk duhet të ketë autoritet ekzekutiv. Nuk do të jetë shtresë e re e qeverisjes”, pohoi Hovenier.

Ai shtoi se shteti që ai përfaqëson beson se “drafti që i është dhënë Kosovës plotëson të gjitha këto kritere”, dhe se është shkruar në atë mënyrë që është në përputhje me Kushtetutën, “por ka vetëm një mënyrë për ta vërtetuar këtë dhe është vendimi i Gjykatës Kushtetues”.

Madje, amerikani u ankua se, siç pohoi ai, “histeria” rreth këtij drafti është e panevojshme, për shkak se “statuti do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese”.

Atij nuk i ka pëlqyer që po ka shumë njerëz që po e diskutojnë draftin e statutit kur ai ende nuk është publik për t’u lexuar fillimisht.

“Jam i habitur nga numri i njerëzve që po e interpretojnë draftin që akoma nuk e kanë parë. Kjo është e çuditshme. Ata që nuk e kanë parë draftin s’kanë shumë hapësirë për të diskutuar rreth draftit”.

Duke folur për pamundësinë e leximit të draftit, meqë ai nuk po publikohet nga Qeveria e Kosovës, Hovenier tha se “s’ka asgjë sekrete këtu, por negociatat diplomatike dhe angazhimi diplomatik shpesh është në këtë formë, që të vihet te një kuptueshmëri më e madhe mes palëve”.

“Gjithkund më parë ka pasur gjëra që kanë qenë konfidenciale (Rambuje, Vjenë). Në një kohë të duhur publiku do të ketë mundësinë t’i qaset draft statutit”.

Në fund të konferencës së shkurtër, Hovenier pohoi se si mund të konsiderohet Asociacioni një autonomi për serbët kur “s’formon shtresë të re, s’ka autoritet ekzekutiv dhe duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës”.

“Nuk e shoh si ka autonomi në këto kushte. Drafti i Statutit konfirmon kriteret që i thash më lartë”, pohoi ambasadori amerikan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore