Lajme

“Gara kundër kohës”: Çfarë shkruajnë gazetat pas tërmetit shkatërrues


Pasojat e tërmetit shkatërrues që goditi në të dy anët e kufirit mes Turqisë dhe Sirisë dominojnë ballinat e gazetave.

Faqja e parë e “The Guardian” tregon ankthin e një vajze në Dijarbakir të Turqisë.

E shpëtuar, ajo tanimë është një nga një numër i panjohur i njerëzve që mbeten të bllokuar pas tërmetit 7.8 ballë.

Po me të njëjtën fotografi, “The Times” del me titullin “Tërmeti gjigant vret mijëra vet në gjumë”.

Faqja e parë tërheq vëmendjen për shkatërrimin në një rajon që ka qenë prej kohësh i rrënuar nga lufta dhe përmend përpjekjet e Britanisë së Madhe për shpëtim dhe ndihmë.

Kurse “Financial Times” tregon një tjetër imazh të një personi të shpëtuar nga një ndërtesë e rrënuar përtokë.

“Mijëra të vdekur pas tërmetit më të madh në 84 vjet që tronditi Turqinë dhe Sirinë”, ishte titulli i saj.

Sakaq, “qindra familje janë ende të bllokuara nën rrënojat në provincën veri-perëndimore të Sirisë Idlib”.

Ndërsa fotografia e “Daily Telegraph” në faqen e parë tregon njerëz që përpiqen të tërheqin të mbijetuarit nga rrënojat.

Në “Daily Mail”, titulli mbi foton shkruan “Përpjekjet e dëshpëruara të shpëtimit të të pafajshmëve”.

Aty shfaqet një shpëtimtar duke përqafuar një vajzë të re.

“Daily Mirror” e përshkruan shpëtimin e një fëmije nga rrënojat si një “moment shprese mes terrorit”.

Sipas gazetës, frika është mos numri i të vdekurve rritet në 10 mijë, pasi Turqia dhe Siria janë të shkatërruara dhe shpëtimtarët garojnë me kohën për të shpëtuar njerëzit.

“The Sun”, nga ana tjetër, bën thirrje për “ndihmë”.

Në faqen e parë të francezes “Le Monde” shfaqen shpëtimtarët duke ngritur një fëmijë, me titullin “Tërmet vdekjeprurës në Turqi dhe Siri”.

Nën titullin “Tërmeti shkatërron Turqinë dhe Sirinë”, “The Washington Post” trajton situatën në terren në provincën Idlib të Sirisë, duke thënë se ajo ka përkeqësuar një “situatë tashmë të rëndë në veriperëndimin e kontrolluar nga rebelët”.

“The National” e Emirateve të Bashkuara Arabe mbart një imazh të madh të përpjekjeve të shpëtimit në Dijarbakir në Turqinë juglindore, me titullin “Shkatërrim teksa Turqia dhe Siria goditen nga tërmeti”.

Shoqëruar nga një imazh ajror i shkatërrimit në Hatay të Turqisë, “Haaretz” e Izraelit ka ravijëzuar se Benjamin Netanyahu ka bërë një “urdhërim të rrallë të ndihmës për Sirinë”.

Ndërkaq, “New Indian Express” paralajmëron se vdekjet mund të kalojnë edhe 10 mijë dhe India do të dërgojë dy ekipe shpëtimi me 100 veta personel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore