Lajme

GAP: Disa projekte kapitale të komunave në Kosovë s’janë funksionalizuar asnjëherë


Instituti GAP e ka publikuar raportin “Qëndrueshmëria e investimeve kapitale të komunave”, në të cilin thuhet se në nivel komunal, një numër i konsiderueshëm i projekteve kapitale nuk janë funksionalizuar asnjëherë apo nuk kanë arritur rezultatin e planifikuar.

“Ndërsa raste të tjera përfshijnë ndërtimin e shkollave, që pas përfundimit të ndërtimit është konstatuar që terreni është jo i përshtatshëm për ardhje/vajtje të nxënësve, ose ndërtimin e qendrave mjekësore për të cilat pas përfundimit është konstatuar që nuk ka numër të mjekëve për t’i bërë ato funksionale, e deri të ndërtimi i kontejnerëve nëntokësorë për mbeturina, që vetëm pas ndërtimit është konstatuar që Kosovës i mungojnë automjetet adekuate për tërheqjen e mbeturinave në sistemin nëntokësor”, thuhet në raport.

Sipas raportit, këto raste përveç që dëshmojnë mos planifikim të duhur të investimeve, janë edhe rezultat i ndryshimeve demografike.

“Mosmirëmbajtja dhe dëmtimi i projekteve pas përfundimit të investimeve; kontestet pronësore; mungesa e fondeve të mjaftueshme për të përfunduar projektin dhe në disa raste pamundësia e komunave për të pranuar staf me pagesë të rregullt, në menaxhimin ose funksionimin e objekteve të caktuara”, thuhet në njoftimin e GAP-it.

Sipas këtij raporti, arsyet që mund të dërgojnë në investime kapitale të dështuara, në njërën anë, ndërlidhen me mospërfshirjen e mjaftueshme të grupeve të interesit gjatë fazave të projekteve, dhe në anën tjetër, me mosrespektimin e plotë të procedurave ligjore të prokurimit, duke filluar nga hartimi i kontratave me operatorët ekonomikë dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre.

GAP ka ofruar edhe një numër rekomandimesh se si do të mund të përmirësohen politikat publike në këtë fushë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore