Lajme

G20-ta, synim shpërndarjen e vaksinave te vendet e varfra


Ekonomitë kryesore të botës po diskutojnë mbi planet, për një rritje të shpërndarjes së vaksinave te vendet më të varfra.

Gjermania ka premtuar se do të dhurojë 100 milionë doza vaksine për fushatat globale të vaksinimit.

Ministrat e Shëndetësisë, nga 20 ekonomitë kryesore të botës, kanë nisur takimin e tyre që më 5 shtator në Romë.

Fokus i takimit është strategjia koordinuese në trajtimin e pandemisë.

Ministrat e Shëndetësisë nga 20 ekonomitë kryesore të botës po takohen për dy ditë në Romë.

Ata do të diskutojnë strategjitë koordinuese që ecin përpara në trajtimin e pandemisë së coronavirus-it.

Gjatë ditës së parë të bisedimeve, ministrat ranë dakord se shpërndarja e barabartë e vaksinave kundër COVID-19 në vendet në nevojë, ishte e domosdoshme për t’i dhënë fund pandemisë.

Ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza, tha se ai shpresonte se takimi dyditor do të sillte atë që ai e quajti “pakti i Romës” mbi shpërndarjen e vaksinave.

Sipas tij, duhet bërë më shumë për të mbyllur hendekun midis vendeve më të pasura dhe më të varfra në shpërndarjen e vaksinave

Gjermania planifikon të dhurojë miliona doza

Nga ana tjetër, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, tha se Gjermania po planifikonte të dhuronte 100 milionë doza të vaksinës para fundit të vitit.

Spahn theksoi se kontributi do të ndihmonte në përmbushjen e qëllimit që të paktën 40% e popullsisë së botës të vaksinoheshin kundër coronavirus-it para vitit 2022.

Ministri gjerman paralajmëroi se pandemia ka mbaruar vetëm kur të ketë mbaruar në të gjithë botën, duke treguar rreziqet e varianteve që shfaqen te të pavaksinuarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore