Shqipëria

Fushatë jo, ofensivë po


Në ngastrën e selisë blu bëhet fushatë brenda llojit, më saktësisht kundër njëri-tjetrit.

Prej disa ditësh lista zyrtare e Partisë Demokratike me logon e partisë së dytë më të madhe në vend ka firuar me vetëm 13 bashki.

Edhe pse fushata e kryetarit të komanduar Enkelejd Alibeaj është e pashtjelluar ende, fokusi kryesor i saj është ish-kryeministri Sali Berisha.

Sipas tij, një nga faktorët kyç që demokratët humbën zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021 ishte “modeli i korrupsionit të Berishës”, duke e bërë atë fajtorin kryesor.

“Çështja e shumicës dhe pakicës janë çështje që janë të pamatshme, ose janë të matshme në një momet dhe pastaj me kalimin e kohës janë të ndryshueshme. E kuptoj në 6 mars dhe dikush mund të thotë që kishte shumicën, por çfarë ndodhi në atë kohë? Në një mënyrë aspak të moralshme përdori dëshpërimin e të gjithë demokratëve për atë çfarë ndodhi më 25 prill të 2021-shit. Të cilat në fakt ishin zgjedhje të vjedhura. Nëse e mbani mend pas 25 prillit tha që zgjedhjet nuk ishin të vjedhura por ishin të shitura prej Lulzim Bashës”, deklaroi ai për transmetuesin “Euronews Albania”.

Për Alibeajn, nëse Partia Demokratike nuk erdhi në pushtet dhe nuk pati mbështetjen e partnerëve euro-atlantikë, ishte pikërisht “ekzistenca e modelit të tij të qeverisjes që datonte nga viti 2013, arroganca dhe korrupsioni”.

Në krah të Alibeaj ishte dhe Roland Bejko, kandidati i PD-së zyrtare për bashkinë e Tiranës, i cili njoftoi se prezantimi i programit të tij do të bëhet më 18 prill, ditë kur do të çelë zyrtarisht edhe fushatën e tij.

Gjatë fjalës së tij para mediave, ai nuk shpenzoi asnjë fjalë ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, por sulmi ishte i fokusuar brenda llojit.

“Ata që mendonin se nuk kishim njerëz, u zhgënjyen, të çlirojmë Tiranën nga kthetrat e grabitqarëve. Fushata më e mirë është të shkuarit derë më derë. Të mos votohen ata që dikur kanë qenë të djathtë. Trekëndëshi i Bermudës donte ta asimilonte PD-në”, theksoi Bejko.

Slogani i zgjedhur “Frymëmarrje për Tiranën” tregon se më shumë se kurrë kjo forcë politike ka nevojë të dalë nga kjo ofensivë e ndërsjellë e cila ka “asfiksuar” opozitarizmin në vend.

Këto vendime janë kundërshtuar edhe më herët nga deputetë të ndryshëm të selisë blu.

Gjatë mbledhjes së Kolegjit të Kryetarëve, deputetja demokrate Dhurata Çupi propozoi daljen me lista për këshillat bashkiakë, por jo me kandidatë për kryebashkiakë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja demokrate Jorida Tabaku theksonte se nuk kishte asnjë arsye dhe asnjë justifikim për të përçarë votën e opozitës.

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, e akuzoi më herët Alibeajn, se ky i fundit ka konfiskuar vulën e PD-së, por nga ana tjetër nuk është i aftë të nxjerrë një garën për pushtetin vendor, 61 kandidatë për kryetar bashkie.

Sipas Salianjit, ka vetëm një opozitë, duke e quajtur atë të Alibeajt një fraksion tjetër, i cili ka sigël e vulë, por jo kandidatë.

Me hapjen zyrtare të muajit elektoral, Partia Demokratike do të marrë 106 milionë e 661 mijë lekë (rreth 1 milion dollarë), për të zhvilluar fushatën, të cilat nuk duhet t’i shpenzojë për të gjetur oponencë brenda llojit.

Partia Demokratike pritet të garojë vetëm në bashkitë: Dimal, Kuçovë, Dibër, Fier, Mallakastër, Patos, Këlcyrë, Tepelenë, Pukë, Vau-Dejës, Kamzë, Tiranë, Finiq dhe Sarandë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore