Lajme

Fushatë dhe kërcënime në veri për të mos i pranuar targat RKS


Letra e printuar në vetura ku është shtypur regjistrimi i përkohshëm i Republikës së Kosovës si dhe mesazhi kërcënues

Përveç barrikadave në Jarinje dhe Bërnjak, disa serbë nga Mitrovica e Veriut kanë vendosur letra të printuara në vetura ku është shtypur regjistrimi i përkohshëm i Republikës së Kosovës si dhe mesazhi kërcënues.

Panot janë vendosur në shumë vetura, edhe në ato që kanë targa të Serbisë.

Dejan Nedelkjoviç një qytetar nga Mitrovica ka publikuar tabelat në ‘Twitter’, në të cilat shkruhen “ Për këto tabela të q*** nëna”.

Ndërkaq dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës, po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara tash e dhjetë ditë, pasi më 20 shtator, Qeveria e Kosovës ka vendosur zbatimin e masës së reciprocitetit për tagrat e automjeteve të Serbisë të cilat hyjnë në Kosovë.

Këtë të mërkurë në Bruksel zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, do të takohet me Drejtorin e Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën, Petar Petkoviç, pas situatës së tensionuar në veri, pasi Qeveria e Kosovës më 20 shtator ka filluar zbatimin e masave të reciprocitetit në tabelat e automjeteve të cilat hynë nga Serbia në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, Drejtori e Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën, Petar Petkoviç dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Çështja kryesore e bisedimeve do të jetë situata e fundit, ku do të tentohet të gjendet një rrugëdalje dhe të vendoset si do të vazhdohet me kërkesën e Kosovës për reciprocitet me targat.

Në këtë raund pritet të jepet një zgjidhje dhe të arrihet një pajtim për targat dhe kalimet e dyanshme të veturave në këto pika kufitare. Veç kësaj teme, do të bisedohet edhe për disa çështje të tjera, që lidhen me këtë situatë të krijuar në pikat kufitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore