Lajme

“Fushata zgjedhore e ka bërë qeverinë të papërgjegjshme karshi angazhimeve që ka”


Ilustrim

Për herë të katërt me radhë, Kryesia e Kuvendit të Kosovës i dështon mbledhjet e caktuara. Por, një gjë e tillë po konsiderohet si papërgjegjësi e qeverisë.

Kjo, për shkak se siç thotë për Albanian Post, Erblin Hoxha nga Lëvizja “FOL”, e cenon funksionalizimin e institucioneve.

“Të hënën i gjithë kabineti qeveritar ka qenë në përkrahje të një kandidati për kryeqytet në kohën kur është dashur të mbahej mbledhja e Kryesisë së Kuvendit dhe kjo është një papërgjegjshmëri totale e qeverisë dhe e cenon direkt  funksionalizimin dhe ndarjen e pushteteve”.

“Është jashtëzakonisht shqetësuese një qasje e tillë, për më shumë se 10 vite e kemi parë një kritikë pikërisht prej partisë që sot është në pushtet me kritika të tilla që gjatë zgjedhjeve lokale apo parlamentare janë shfrytëzuar edhe resurset qeveritare, por një gjë të tillë po e shohim edhe tani”, ka thënë Hoxha.

Erblin Hoxha nga Lëvizja “FOL”

Sipas tij, zvarritja e disa çështjeve me rëndësi në kuvend, “do të ketë ndikim negativ” në shtyrjen përpara të shumë proceseve.

Siç potencoi Hoxha, shtyrja e disa proceseve përpara të cilat pritet të përfundojnë, duket “se nuk janë prioritet i qeverisë për shkak të zgjedhjeve lokale”.

Në anën tjetër, Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në një prononcim për AP ka thënë se dështimet dhe shtyrjet e mbledhjeve të kryesisë janë jo të drejta.

Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri

“Është e paarsyeshme shtyrja e mbledhjes se kryesisë se kuvendit, pothuajse kryesia e kuvendit është jo funksionale për shkak se është mbledhja e katërt që po dështon”, është shprehur ai.

Ndërsa, Shefi i Grupit parlamentar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se detyrë e tyre është që të jenë prezentë kurdo që ftohen.

Shefi i Grupit parlamentar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi

“Koalicioni qeverisës e ka përgjegjësi të garantojë punën. Ne do të jemi aty kurdo që na thërrasin”, deklaroi Gashi.

Ndërkohë, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit e paraparë të mbahej gjatë të hënës së tetë nëntorit, është shtyrë.

Kështu bëhet e ditur në njoftimin nga zyra e Kuvendit të Kosovës, ku nuk tregohet arsyeja e shtyrjes së mbledhjes.

“Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paraparë për sot në orën 11:00, shtyhet për një ditë tjetër”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, më një nëntor kishte dështuar mbledhja e kryesisë , pasi disa përfaqësues të partive politike munguan, ku do të bëhej caktimi i seancës parlamentare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore