Lajme

Fushata e partive për zgjedhjet e 17 tetorit – të shkurtra dhe digjitale


Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen më 17 tetor 2021

Të gjitha partitë opozitare në Kosovë janë deklaruar se do të orientohen në fushatë digjitale dhe jo konvencionale për shkak të pandemisë COVID-19.

Fushata zgjedhore ka nisur zyrtarisht për subjektet politike në Kosovë, të cilat do të garojnë në zgjedhjet lokale të vitit 2021 me kandidatët e tyre për kryetarë komunash.

Madje, disa prej tyre janë shprehur të gatshme për shkurtimin e periudhës së fushatës zgjedhore.

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për kanë deklaruar për Albanian Post se në mënyrë të njëanshme është marrë vendim që ky subjekt politik të shkurtojë fushatën zgjedhore nga 30 ditë në vetëm pesë ditë, duke u fokusuar në fushatë digjitale.

“Nga gjendja e shkaktuar për shkak të keqmenaxhimit pandemik e të paprecedentë, vendosëm që në mënyrë krejtësisht vullnetare, fushata konvencionale zgjedhore të shkurtohet nga 30 ditë në vetëm pesë ditë”.

Lidhja Demokratike e Kosovës

“Fushata do të fillojë sot ligjërisht por nuk do të orientohemi në fushatë konvencionale, nuk do të ketë tubime. Fushata do të mbahet vetëm në formë digjitale”.

Shpalosja e programit për vetëm pesë ditë do të praktikohet edhe nga partia politike opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Zëdhënësi i AAK-së, Lulzim Blaka, për Albanian Post ka thënë se secili kandidat për kryetar të komunave do të ketë në dispozicion pesë ditë për ta prezantuar plan programin e vet.

“Në secilën komunë, secili kandidat e shpalosë programin në një ditë që e sheh të përshtatshme. Secili nga ta i ka nga pesë ditë por megjithatë, edhe në ato pesë ditë do t’iu ikin tubimeve të mëdha”, ka thënë Blaka.

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lulzim Blaka

Sipas tij, ani pse fushata zgjedhore është shkurtuar AAK-ja ka zgjedhur mënyrën digjitale dhe pa prezencë fizike të qytetarëve.

Përkundër ekspeditës së shkurtër politike, Blaka beson se “AAK e ka të sigurt fitoren në të gjitha komunat”.

“Sot Daut Haradinaj do ta shpalosë programin para gazetarëve pa audiencë, mund të jenë deri në 15 persona por jo më tepër, dhe këtë formë do ta vazhdojnë edhe kryetarët e tjerë në komunat e tjera. Fushata kryesisht është digjitale”, ka thënë ai.

Për t’i ikur grumbullimeve të mëdha dhe për të ruajtur shëndetin e qytetarëve nga shpërndarja e virusit Corona, zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, për AP ka thënë se edhe kjo parti ka vendosur që të përqendrohet në fushatë digjitale.

“Si parti kemi qëndrim që me angazhime shtesë t’i respektojmë gjithanshëm dhe pandalshëm vendimet dhe rekomandimet e Institutit kombëtar të Shëndetit Publik”, ka thënë Abdullahu.

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu

“Kemi vendosur që parimisht të përqendrohemi në fushatë digjitale, duke përjashtuar grumbullimet e mëdha, sepse jemi të bindur se kështu mbrojmë jetën e qytetarit dhe për më shumë ndihmojmë në përmirësimin e gjendjes pandemike”, shtoi ai.

Në anën tjetër, ai ka theksuar se si parti do të përpiqen që të mos e dëmtojnë demokracinë, duke lejuar që qytetarët të njihen me kandidatët dhe programet e tyre.

Rekomandimeve të IKSHP-së thonë se do t’u përmbahen edhe nga Nisma Socialdemokrate.

Endrit Shala nga kjo parti joparlamentare ka thënë se as Nisma nuk do ta praktikojë fushatën konvencionale si herëve të tjera me shumë tubime.

“Do të mundohemi që të mbajmë tubime me shumë pak njerëz, në vende të hapura. Do të jetë fushatë digjitale, por edhe takime me qytetarë”, ka thënë Shala për AP.

Endrit Shala nga partia Nisma Socialdemokrate

Ani pse kanë qenë pro shkurtimi të fushatës zgjedhore, Shala thotë se “do të tentojmë që tubimet t’i bëjmë në shumë pak ditë dhe duke i respektuar në përpikëri rekomandimet e IKSHP-së”.

“Kemi kandidime në të gjitha komunat e Kosovës me asamblist dhe me kryetarë të komunave, normalisht në secilën komunë ku kemi kandidatë pretendojmë që para qytetarëve të tregojmë që votimi i tyre për Nismën është zgjedhja e duhur”, shtoi ai.

Derisa, partitë opozitare janë deklaruar për mënyrën e mbajtjes së fushatës zgjedhore, partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje ende e nuk ka bërë të ditur organizimin e shpalosjes së mesazhit të vet zgjedhor.

Albanian Post ka tentuar që të marr një përgjigje nga zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, por që i njëjti nuk është prononcuar.

“Nuk mundem të prononcohem”, ka thënë ai.

Gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i këshillit për operacione zgjedhore, në kuadër të KQZ-së, Arianit Elshani, ka treguar për numrin e saktë të fletëvotimeve që do të shtypen për zgjedhjet për Kryetar të Komunave dhe për Kuvend Komunal.

Ilustrim

“Për zgjedhjet për Kryetarë të Komunave do të shtypen 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime, ndërsa për zgjedhjet për Kuvende Komunale do të shtypen po ashtu 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime. Pra, numri i përgjithshëm i fletëvotimeve që do të shtypen për dy llojet e zgjedhjeve të 17 tetorit është: tre milion e 397 mijë e 200 fletëvotime”, ka thënë Elshani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore