Shqipëria

Fundjavë e sakrificës apo e qetësisë?


Festa e kurbanit ose fundjava e sakrificës siç njihet nga besimtarët myslimanë nuk ka kaluar “në paqe” për pushuesit në plazh.

Pamjet e siguruara nga Albanian Post dëshmojnë një skenë aspak të zakontë për një fundjavë plazhi.

Kanalizimet të cilat dergjen në det, kanë transportuar gjakun e bagëtive të cilat janë bërë kurban duke krijuar jo pak shqetësim te pushuesit, e sidomos ata më të vegjëlit.

Incidenti është regjistruar në fshatin bregdetar të Kavajës, Golem.

Nga dëshmitë në terren cilësohet se kjo situatë ka krijuar jo pak tension mes familjarëve të cilët kanë larguar fëmijët nga bregu.

Vija e parë bregdetare është mbushur nga gjaku i cili po shkarkohet në det duke shkelur dhe një nga rregullat bazë të “hallallit”.

Këto të fundit, janë shumë strikte dhe synojnë të minimizojnë vuajtjet e kafshës.

Shumica e fshehin thikën që kafsha të mos e shohë atë.

Ai që vret kafshën duhet ta bëjë shpejt, me një prerje në fyt dhe ekziston gjithashtu një mënyrë e veçantë për të kulluar gjakun.

Festa është e lidhur me haxhin – pelegrinazhin në Mekë që është një nga pesë shtyllat e Islamit – dhe shënon gatishmërinë e Abrahamit për t’ia flijuar të birin Zotit.

Në disa vende, familja e dikujt që sapo ka bërë haxhin në Mekë i zhyt duart në gjak dhe dekoron muret e jashtme të shtëpisë me gjurmët e duarve të tyre.

Por traditat ndryshojnë shumë sipas rajonit.

Në Egjipt, disa fëmijë dhe të rritur zhytin duart në gjakun e kafshës së therur dhe vendosin gjurmët e duarve në shtëpi, biznese dhe madje edhe makina për t’u mbrojtur nga e keqja.

Shqipëria shkel jo vetëm rregullin e kurbanit por edhe të bashkëjetesës në komunitet. Ky është mësimi i parë i fesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore