Lajme

FT: Oleg Tsaryov është i përzgjedhuri i Moskës për të udhëhequr Ukrainën


Oleg Tsaryov është zgjedhja e mundshme e presidentit rus Vladimir Putin për të udhëhequr ndryshimin e regjimit në Ukrainë.

E përditshmja me seli në Londër “Financial Times” ka zbuluar në orët e para të së martës detaje të reja nga “grushti i mundshëm i shtetit” në shtetin lindor.

Moska “mund të pozicionojë Tsaryov dhe të tjerët në role udhëheqëse si pjesë e kësaj përpjekjeje”, citon FT-ja një zyrtar perëndimor të inteligjencës perëndimore.

“Ndërsa Oleg Tsaryov tha se ai kaloi fundjavën e kaluar në ultësirat e Krimesë duke kërkuar për qenin e tij të humbur, inteligjenca perëndimore vlerësoi se ish-ligjvënësi ukrainas është rreshtuar për drejtimin e një komploti të Kremlin-it”.

Pikësynimi, shkruan e përditshmja, është udhëheqja e një qeverie “mupetë” në Kiev në rast të një pushtimi rus.

Emri i Tsaryov si zgjedhja e mundshme e Putin-it për të udhëhequr ndryshimin e regjimit në Ukrainë erdhi nga inteligjenca amerikane.

Ajo e vuri më pas në dispozicion të aleancës “Five Eyes” që përbëhet nga SHBA-të, Britania, Australia, Kanadaja dhe Zelanda e Re.

Oleg Tsaryov
Reagimi

Tsaryov braktisi karrierën e tij politike në vitin 2015 dhe tani drejton tre klinika të stilit sovjetik në Detin e Zi.

“Kjo është një situatë mjaft qesharake”, tha Tsaryov për Financial Times.

Ai shtoi se nuk ftohet për të folur as në televizionin shtetëror rus sepse nuk është aq i rëndësishëm.

Në muajin janar, SHBA-të pretenduan se aleatët e mërguar të Viktor Medvedchuk-ut, një politikan pro-Moskës ishte në listën ruse për të sunduar Ukrainën.

Mbretëria e Bashkuar më pas mori në konsideratë figurën e Yevhen Murayev-it.

Ky i fundit ishte një ish-deputet që drejtonte një kanal televiziv në gjuhën ruse në Ukrainë.

Analistët thonë për FT-në se Tsaryov kishte edhe më pak kuptim se emrat e mëparshëm të paraqitur nga inteligjenca e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe.

Sipas tyre, kjo ngre pikëpyetje mbi cilësinë e njohurive të Perëndimit mbi planet e Kremlin-it për Ukrainën.

Figura e Tsaryov-it

Një vendas nga Dnipro në Ukrainën lindore, Tsaryov shërbeu në Partinë e Rajoneve pro-Moskës të udhëhequr nga Viktor Yanukovych.

Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, Tsaryov kandidoi për president me një fushatë pro-ruse.

Oferta e tij politike ishte aq e papëlqyeshme sa u përzu nga një studio televizive në Kiev dhe u rrah nga një turmë e zemëruar.

Ai u zhvendos më pas në Donbas, ku drejtoi një organ ligjvënës të ashtuquajtur “parlamenti i Novorossia-s”.

Kjo, për të bashkuar dy shtetet separatiste të mbështetura nga Rusia në një mënyrë të stilizuar sipas Parlamentit Evropian.

Tsaryov u transferua në Krime pasi Ukraina e akuzoi atë për mbështetjen e separatistëve në vitin 2015.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore