Lajme

FSK dhe KFOR, shkatërrojnë bombën 907 kg, të gjetur në Merdare


Bomba 907 kg e gjetur në Merdare

Bomba 907 kilogramëshe e cila gjet para tre jave në afërsi të pikës kufitare në Merdare, përfundimisht u shkatërrua.

Ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përkatësisht ekipet e EOD-së në bashkëpunim me Ekipin e EOD-së së KFOR-it Amerikanë, këtë të premte paradite, kanë bërë të ditur se kanë asgjësuar përfundimisht bombën Mk 84 me peshë 907 kilogramë në fshatin Merdare të Podujevës.

Sipas njoftimit të FSK-së, bomba “e gjetur gjatë deminimit në fshatin Merdare, operacioni është mbyllur me sukses pas 14 orësh punë dhe bomba nuk paraqet rrezik më për qytetarët e Republikës  së Kosovës”.

Pjesëtaret e FSK-së dhe KFOR-it pas përfundimit me sukses të aksionit për shpërthimin e bombës 907 kg

“Shkatërrimi është bërë në ambiente të kontrolluara dhe sipas kushteve dhe standardeve më të larta të sigurisë”.

“Forma e shkatërrimit të bombës ishte shpërthim më fuqi të ultë ku është ruajtur shumica e trupit, që do të përdoret në të ardhmen për trajnime të pjesëtarëve në këtë fushë”, shpjegon më tej FSK.

“Kompania e Deminimit e FSK-së është e përkushtuar të punoi për të krijuar një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët”, përfundon njoftimi.

Vend shpërthimi i bombës 907 kilogramëshe

Kujtojmë se kjo bombë është gjetur në fillim të dhjetorit të këtij viti në tunelin e hekurudhës në Merdare, ku ishte duke u pastruar nga organizata humanitare e deminimit NPA.

Edhe gjatë identifikimit të saj, ishte ndërprerë qarkullimi në pikën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Mërdare, për një kohë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore