Lajme

Fshehën numrin e të vdekurve nga përmbytjet, arrestohen zyrtarët kinezë


Zyrtarët në provincën kineze Henan kanë fshehur qëllimisht 139 vdekje nga fatkeqësia shkatërruese e përmbytjeve të vitit të kaluar, ka thënë qeveria qendrore e vendit, ndërsa autoritetet arrestuan disa nga të përfshirët.

Stuhitë rekord të shiut goditën provincën Henan në Kinën Qendrore midis 17 dhe 23 korrikut. Rezervuarët u tejmbushën, lumenjtë dolën nga shtrati, ndërsa sistemet e transportit publik dhe rrugët në qytetet kryesore u shkatërruan.

Në qytetin e Zhengzhou-s, më shumë se 600 milimetra shi, e barabartë me pothuajse një vit mesatar, ranë në vetëm tri ditë, duke përmbytur stacionet e metrosë dhe një tunel ndër-qytet.

Të paktën 12 persona vdiqën në një stacion metroje në Zhengzhou, pasi tunelet u përmbytën, me pamjet alarmante në mediat sociale që tregojnë se niveli i ujit brenda vagonëve arrinte lartësinë e kokës së pasagjerëve.

Zhengzhou, Kinë.

Gjashtë të tjerë u raportuan në atë kohë se kishin vdekur në një tunel rrugor, ku më shumë se 100 makina u bllokuan dhe u zhytën në ujë.

Organi më i lartë qeveritar i Kinës, këshilli shtetëror, tha se kishte rishikuar një hetim mbi katastrofën.

Sipas tij, zyrtarët dhe autoritetet lokale janë “fajtor për neglizhencë dhe mospërfillje të detyrës, veçanërisht duke marrë parasysh viktimat në metro dhe tunele”.

Zyrtarët partiakë dhe lokalë në Kinë shpesh përballen me ndëshkime për dështimet aktuale dhe të perceptuara, duke përfshirë largimin nga rolet e tyre ose në raste ekstreme, ndjekjen penale.

Gjithashtu, zyrtarë të shumtë janë shkarkuar, për shkak të shpërthimeve të COVID-19.

Në muajin qershor të paktën pesë zyrtarë u arrestuan pasi 21 vrapues humbën jetën gjatë maratonës, Gansu.

Udhëheqësi i hetuesve të përmbytjeve në Henan ishte i ashpër në vlerësimin e tij për zyrtarët lokalë, të cilët i akuzoi për “mungesë serioze të ndërgjegjësimit për rrezikun” dhe se kishin “të paralizuar të menduarit” kur ishte fjala për të dëgjuar paralajmërimet për reshje anormale të dendura.

Në javët pas përmbytjeve, numri i të vdekurve ishte 99 për disa ditë përpara se zyrtarët të njoftonin një numër prej 302 të vdekurve dhe 50 të zhdukur.

Por, në një deklaratë të postuar në internet, këshilli i shtetit akuzoi zyrtarët e qytetit se kishin “penguar dhe mbajtur qëllimisht raportet për deri në 139 raste”.

Zhengzhou, Kinë.

“Zyrtarët duhej të bënin raporte ditore, por kishin fshehur ose vonuar raportimin e të vrarëve dhe të zhdukurve në fatkeqësi”, tha ai.

Raporti dha një numër zyrtar përfundimtar të vdekjeve prej 398, me më shumë se 95% të ndodhur në qytetin e Zhengzhou-s. Ai nuk dha detaje se sa ishin raste të reja.

Në një konferencë të veçantë për shtyp, zyrtarët thanë se rastet e fshehura përfshinin 75 prej tyre në qytetin Zhengzhou, 49 në qarqe dhe 15 në fshatra.

Udhëheqësi i hetimit tha se 23 njerëz vdiqën nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet në Xingyang, dhe pesë në një shpërthim të shkaktuar nga përmbytjet në termocentralin Dengfeng.

“Zyrtarët lokalë të partisë dhe qeverisë nuk raportuan shkakun e vërtetë të vdekjes dhe përdorën ilegalisht fondet e subvencionimit të rindërtimit pas fatkeqësisë për të kompensuar familjet e të vdekurve”, tha zyrtari.

“Edhe pse fatkeqësia u shkaktua nga moti ekstrem, u ekspozuan shumë probleme dhe mangësi. Dobësitë ekzistojnë gjithashtu në shkallë të ndryshme në shumë pjesë të vendit, vuri në dukje hetimi, duke kërkuar vëmendje të madhe dhe veprime solide për t’i korrigjuar ato”, shtoi ai.

Përmbytja e stacionit dhe tunelit rrugor ishin “aksidente të përgjegjësisë”, me fatkeqësinë e përkeqësuar nga ndërtimi i vonuar i infrastrukturës së kullimit urban dhe lidhjet e dobëta në sistemet e menaxhimit të emergjencave, paralajmërimit të hershëm dhe reagimit.

Zhengzhou, Kinë.

“Ata nuk arritën të merrnin përgjegjësinë parësore në parandalimin e përmbytjeve dhe lehtësimin e fatkeqësive dhe u mungonte seriozisht ndërgjegjësimi për rrezikun në lidhje me fatkeqësitë ekstreme të motit”, sipas hetuesve, të cilët vunë në dukje edhe probleme të tilla si “praktikat e formaliteteve për hir të formaliteteve dhe burokratizmi”.

“Mbyllja e rezervuarit Guojiazui ishte një incident që shkel ligjin”, thuhet në raport, por nuk jepen detaje.

Deklarata, e postuar në anglisht në faqen e internetit të këshillit shtetëror, është një pranim i rrallë i dështimit të zyrtarëve.

Pas katastrofës kishte dyshime të përhapura se numri i të vdekurve ishte më i lartë se sa raportohej, pasi banorët postuan në internet për të dashurit e humbur dhe autoritetet bllokuan hyrjen në vendet e fatkeqësisë, duke përfshirë përkujtimoret e përkohshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore