Lajme

FSB zbardh vrasjen e Duginas: E ekzekutuan dy agjente ukrainase


Sipas shërbimeve sekrete ruse (FSB), Darya Dugina, vajza e ideologut politik të Vladimir Putinit, Alexander Dugin, është ekzekutuar nga dy agjente ukrainase të shërbimeve sekrete.

Natalia Vovk dhe e bija e saj Sofia Shaban, janë autoret e ngjarjes, sipas FSB-së ruse.

Të dy autoret, kanë hyrë në territorin rus më datë 23 korrik, ndërsa pas atentatit, kanë arritur të largohen jashtë vendit, për nga kufiri i Pskov-it në Estoni, duke i shpëtuar kështu autoriteteve ruse.

Këto të dhëna të FSB-së bien ndesh tërësisht me një deklaratë nga disidenti rus, ish-deputet i Dumës, Ilya Ponomarev, i cili tha se vrasja ka ndodhur nga eksponentë të “Ushtrisë Kombëtare Republikane” në rusi, njohur edhe si “Partizanët”.

Ponomarev është një ish-deputet rus i dëbuar nga Kremlini, i cili aktualisht strehohet në Kiev.

Pikërisht nga kjo vendodhje, ai ka bërë deklaratën e fortë, duke hedhur dyshime për një luftë të brendshme në Rusi, prej personave që kërkojnë rrëzimin e Putinit nga pushteti.

Kievi zyrtar nga ana tjetër, e ka mohuar kategorisht implikimin në ngjarje, duke treguar se nuk ka asnjë lidhje me të.

Sipas Ponomarevit, kjo ngjarje do të hapë një kapitull të ri në rezistencën kundër Putinit.

Shpërthimi me eksploziv, i cili i mori jetën 30-vjeçares Darya Dugina, bëri bujë në gjithë botën, pikërisht për faktin se ajo është e bija e personit, i cili njihet edhe si “truri i Putinit”.

Vetë Dugin, supozohej të ishte në veturë me të bijën, por një vendim i minutës së fundit bëri që rrugët e tyre të ndaheshin.

Pak minuta pasi ngjarja ndodhi, Alexander Dugin ishte i pranishëm në vendin e shpërthimit në autostradë dhe e dëshmoi për së gjalli shkrumbimin e makinës së të bijës, me atë vetë brenda.

Ai më pas u shtrua në spital për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Teksa, nuk bëhen me dije detaje mbi shëndetin e tij apo gjendjen psiko-emocionale në të cilën ndodhet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore