Lajme

Francë, mbyllet një xhami tjetër për ekstremizmin islamist


Një xhami në veriperëndim të Francës u urdhërua të mbyllet të mërkurën e 13 tetorit, pas provave se “në të predikohej islamizëm radikal”.

Vendimin e bëri të ditur ministri francez i Brendshëm, Gerard Darminin, i cili mori dhe vendimin në fjalë.

Që nga vrasja e mësuesit Samuel Paty nga një islamist një vit më parë, Franca ka goditur këdo që dyshohet për përhapjen e pikëpamjeve ekstremiste.

Policia kontrolloi xhaminë në Allonnes, pranë qytetit Le Mans ditën e martë.

“Disa nga 300 anëtarët e saj kanë lidhje me lëvizjet radikale islamiste që legjitimojnë përdorimin e xhihadit të armatosur, si dhe përdorin gjuhë urrejtjeje dhe diskriminim”, njoftoi prefektura të hënën.

Pjesë e Qendrës Ndërkulturore Yvon Luby, ajo ka një shkollë kuranike, të cilën prefektura e konsideroi si një vend indoktrinimi, teksa u mësua se në të predikohej xhihad i armatosur për rreth 110 studentë.

Menjëherë pas zbulimeve të hetimeve, Darmanin shkroi në Twitter se u kishte kërkuar autoriteteve ta mbyllnin xhaminë.

Zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal, njoftoi se, vendimi përfundimtar do të bëhej publik të mërkurën, pas procedurave ligjore.

Llogaritë e dy shoqatave që drejtojnë xhaminë ishin ngrirë që në fillim të tetorit, së bashku me disa organizata dhe individë të tjerë të dyshuar për islamizëm radikal.

“Gjashtë vende të adhurimit janë në proces mbylljeje, si dhe po shpërbëjmë disa organizata në të gjithë vendin”, tha në një intervistë Darmanin.

Policia në Francën Lindore kontrolloi gjithashtu të martën ambientet e një xhamie në periferi të Strasburgut, e cila është po ashtu nën procedurat e mbylljes.

Organizata, që drejton aktivitete kulturore në xhaminë Elsau, CIEL, e akuzuar për separatizëm, publikoi raportin e policisë duke thënë se nuk kishte asnjë gjetje inkriminuese.

“Kjo procedurë buron, sipas nesh, nga një agjitacion politik që synon të heshtë dhe të margjinalizojë udhëheqësit tanë që përhapin fjalën e qytetarëve, larg ekstremizmit ose konformitetit”, tha ajo në një deklaratë për mediat.

“Agjitacioni politik dhe stigmatizimi i një komuniteti shpirtëror kontribuon në ndarjen e shoqërisë”, shkroi ajo në median sociale “Facebook”, duke bërë thirrje për të protestuar kundër procedurës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore