Aplikacione

Francë/ Google-i merr 150 milionë euro gjobë, shkak cookies


Në Francë, mbikëqyrësi CNIL i privatësisë së të dhënave ka njoftuar se ka gjobitur Google-in me një rekord prej 150 milionë euro për shkak se e bëri të vështirë për përdoruesit të refuzonin gjurmuesit në internet të njohur si cookies.

Gjithashtu CNIL-ja ka treguar se është gjobitur edhe Facebook-u i Meta Platforms me 60 milionë euro për të njëjtën arsye, tregon agjencia e lajmeve “Reuters”.

Pëlqimi paraprak i përdoruesve të internetit për përdorimin e cookies, të dhëna që ndihmojnë në ndërtimin e fushatave të synuara të reklamave digjitale, është një shtyllë kyçe e rregullores së Bashkimit Evropian për privatësinë e të dhënave.

Përpos kësaj është dhe një përparësi kryesore për CNIL.

“Kur pranoni cookie, bëhet vetëm me një klikim. Refuzimi i cookies duhet të jetë po aq i lehtë sa pranimi i tyre”, ka thënë Karin Kiefer, kreu i CNIL për mbrojtjen e të dhënave dhe sanksionet.

Referuar deklaratës së mbikëqyrësit francez, ai kishte gjetur se faqet e internetit facebook.com, google.fr dhe youtube.com nuk e lejonin refuzimin e cookies lehtësisht.

Dhe se të dyja kompanitë e botës së teknologjisë kishin tre muaj afat në dispozicion për të përmbushur urdhrat e mbikëqyrësit ose do të përballeshin me një pagesë shtesë prej 100 mijë eurosh në ditët me vonesë.

Te urdhrat e dhënë nga CNIL-i përfshihej detyrimi për Google-in dhe Facebook-un për t’ju ofruar përdoruesve francezë të internetit mjete më të thjeshta për refuzimin e cookies, në mënyrë që të garantojnë pëlqimin e tyre.

Teksa dy kompanitë siguruan një buton virtual për të lejuar pranimin e menjëhershëm të cookies, nuk kishte asnjë ekuivalent për t’i refuzuar ato aq lehtë, ka dalluar CNIL.

“Njerëzit na besojnë që të respektojmë të drejtën e tyre për privatësi dhe t’i mbajmë të sigurt. Ne e kuptojmë përgjegjësinë tonë për ta mbrojtur atë besim dhe po angazhohemi për ndryshime të mëtejshme dhe punë aktive”, ka thënë një zëdhënës i Google-it.

Në vitin 2020, CNIL forcoi të drejtat e pëlqimit mbi gjurmuesit e reklamave, duke thënë se faqet e internetit që operojnë në Francë duhet të mbajnë një regjistër të refuzimit të përdoruesve të internetit për të pranuar cookie për të paktën gjashtë muaj.

Gjithashtu ka thënë se përdoruesit e internetit duhet të jenë në gjendje të rishqyrtojnë lehtësisht çdo marrëveshje fillestare nëpërmjet një lidhjeje në internet ose një ikone që duhet të jetë e dukshme në të gjitha faqet e internetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore