Lajme

Franca kërkon hetim për vdekjen e gazetarit francez në Luhansk


Ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna bëri thirrje për një hetim transparent lidhur me vdekjen e gazetarit francez të BFMTV-së, Frederic Leclerc Imhoff në rajonin e Luhansk-ut.

Lajmin e bëjnë të ditur agjencitë perëndimore, duke cituar deklaratën e ministres franceze.

Kjo e fundit gjendej në Kiev në ditën e vdekjes së gazetarit.

“Vdekja e Frederic Leclerc Imhoff, një gazetar i BFM-së i vrarë sot gjatë mbulimit të një operacioni për evakuimin e ukrainasve pranë Severodonetsk-ut, është thellësisht tronditëse. Unë e dënoj atë dhe shpreh ngushëllimet tona për familjen dhe kolegët e tij”, u shpreh Colonna.

Kryediplomatja franceze bëri të ditur se autoritetet kërkojnë nisjen sa më të shpejtë të hetimeve.

Kjo, për të zbardhur rrethanat e “kësaj tragjedie”.

Sipas saj, Franca rikonfirmon angazhimin e saj të vazhdueshëm dhe të fortë për lirinë e shtypit në mbarë botën dhe për mbrojtjen e gazetarëve dhe të gjithë atyre, deklaratat e të cilëve promovojnë informacionin e lirë dhe debatin publik.

Gazetari francez i BFMTV-së, Frederic Leclerc Imhoff, u vra në rajonin e Luhansk-ut si rezultat i granatimeve të kolonës së evakuimit nga trupat ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore