Lajme

Formimi i një komuniteti politik evropian, Macron dërgon një non-paper vendeve të BE-së


Emmanuel Macron

Franca po dëshiron të krijojë një platformë të re politike gjithëpërfshirëse evropiane që nuk do të ishte zëvendësues i Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës apo Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, por do të mundësonte ndërtimin e një komuniteti të të gjitha vendeve evropiane, pavarësisht nga statusi i tyre në BE apo marrëdhëniet me unionin.

Ideja u parashtrua për herë të parë një muaj më parë nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe do të diskutohet në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian, më 23 dhe 24 qershor në Bruksel.

Franca, sipas të përditshmes kroate, Jutarnji list, ka dërguar tashmë një non-paper në shtetet e BE-së, i cili përshkruan idenë e krijimit të një “komuniteti politik evropian”.

Non-paperi francez thekson se Këshilli Evropian, i cili do të mblidhet brenda një jave në Bruksel, pritet të vendosë për aplikimin e Ukrainës për anëtarësim, por gjithashtu paralajmëron për kohëzgjatjen e procesit dhe propozon që një “komunitet politik evropian” të bëhet.

“Çfarëdo niveli të arrijmë në këtë Këshill Evropian, politika e zgjerimit, për shkak të kërkesës për reforma të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe kohëzgjatjes që domosdoshmërisht pason, nuk ofron sot kuadrin e nevojshëm politik për t’iu përgjigjur nevojave urgjente historike dhe gjeopolitike që dalin nga lufta në Ukrainë dhe për ndërtimin e strukturimit politik të kontinentit tonë evropian”, shkruhet në non-paper, të cilën e ka siguruar Jutarnji list.

Ishte kjo kohëzgjatje e procesit që i shërbeu Francës si një argument për një propozim për një “komunitet politik evropian” në të cilin të gjitha vendet do të ishin të gatshme të ndajnë vlerat e përbashkëta demokratike dhe të kontribuojnë në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e përbashkët të Evropës.

Komuniteti do të ishte i hapur për të gjitha vendet evropiane, pavarësisht nëse janë anëtarë të BE-së dhe pavarësisht nga marrëdhëniet e tyre me Bashkimin Evropian. Qofshin ata që duan të jenë anëtarë, ata që nuk duan apo e kanë lënë atë, apo janë të lidhur me BE-në vetëm me marrëveshje ekonomike.

Ky komunitet do të kishte një format “strukturë të butë ligjore” me kompetenca vendimmarrëse, por me respekt për autonominë e BE-së në vendimmarrje. Takimet brenda një komuniteti të tillë do të ishin të rregullta, disa herë në vit.

Një ide e ngjashme u hodh nga Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel , i cili e quajti atë diçka ndryshe, si “Komuniteti Gjeopolitik Evropian”. Duke qenë se Michel është jashtëzakonisht i afërt me Macron, është padyshim e njëjta gjë, ndaj kjo do të jetë një nga temat kryesore të Këshillit Evropian në fund të javës së ardhshme.

Në këtë non-paper thuhet se krijimi i këtij komuniteti do të ndihmojë, jo do të parandalojë, integrimin në BE për ato vende që e dëshirojnë atë.

“Komuniteti politik evropian nuk do të jetë alternativë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe nuk do të jetë zëvendësues i procesit të zgjerimit. Për vendet evropiane që dëshirojnë t’i bashkohen BE-së, nga ana tjetër, do të ketë një mundësi për të forcuar lidhjet me vendet anëtare të BE-së para dhe pas anëtarësimit, si dhe pjesëmarrjen politike dhe pjesëmarrjen në politika të caktuara të BE-së, duke përfshirë integrimin gradual, kur është e përshtatshme”, shkruan në non-paper.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore