Shqipëria

Forcave të Armatosura u shtohen 54 oficerë të rinj


Forcave të Armatosura të Shqipërisë u janë bashkangjitur 54 oficerë të rinj në gradën nëntoger.

Lajmi u bë i ditur ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

“29 vajza dhe 25 djem do të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë me gradën nëntoger”, shkruan fillimisht zyrtari.

Sipas tij, ushtarakët e rinj janë diplomuar pas përfundimit të kursit 1-vjecar të “Përgatitjes së Oficerit”.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, Peleshi theksoi faktin se koha që po jetojmë ka vendosur figurën e ushtarakut më në qendër të opinionit publik se kurrë më parë.

Ministri u shpreh se sakrifica që kërkon ky profesion tashmë shpërblehet me një trajtim financiar më të mirë që në fillimet e karrierës.

Ai shtoi se premtimi për rritjen e pagave të ushtarakëve në masën 30 për qind është realitet që do e prekin nga afër dhe oficerët e rinj.

Gjatë ceremonisë së prezantimit të buxhetit për vitin 2022 në sektorin e Mbrojtjes, kryeministri Edi Rama premtonte se pagat për Forcat e Armatosura do të rriten çdo vit.

Rritja e pagave me 30 % në buxhetin e vitit 2022, për Ramën, është një premtim i mbajtur.

“Kjo është rritja më e lartë ndonjëherë e pagave për FA-të, është më e lartë se paga që u rrit me 25% përpara disa vitesh për Policinë e Shtetit”.

Po ashtu u shpreh krenar për fjalët që i kanë komunikuar Gjeneralët, të cilët ishin në Shqipëri për të drejtuar misionin e Defender 21.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore