Lajme

Forcat ndërkombëtare, e vetmja zgjidhje për situatën në veri


Bllokada në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë.

Për të shtatën ditë me radhë rrugët nacionale që lidhin Kosovën me Serbinë vazhdojnë të jenë të bllokuara për shkak të masës së reciprocitetit.

Në këto dy pika kufitare Kosovë-Serbi vazhdojnë të jenë të vendosura edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Çështjen e targave të veturave të Serbisë për reciprocitet e vendosur nga Qeveria e Kosovës, serbët lokalë po vazhdojnë të e kundërshtojnë.

Mirëpo, a mund të ketë zgjidhje për situatën në veri?

Sipas, njohësit të çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, që nga fillimi i zbatimit të reciprocitetit është parashikuar që do të zgjasë kjo protestë serbe dhe që do të ketë rreziqe të shumta.

“Është ditur që bllokimi i rrugëve në Jarinjë do të ketë incidente dhe kjo realisht ndodhi pas vendosjes së mjeteve shpërthyese në Qendrën e regjistrimit në Zveçan si dhe sulmimin në Qendrat Komunale në Zubin Potok kjo tregon se është një sistem i organizuar i veprimit, jo vetëm një protestë të themi pasive për shkak të një reagimi”, thotë Ibishi në një prononcim për Albanian Post.

Ai shton se, “pritet të ketë edhe akte më të dhunshme nga pala serbe që është e dirigjuar drejtpërdrejt nga Beogradi”.

Ibishi, deklaron se kjo situatë do të eskalojë derisa të arrijnë tek një marrëveshje dhe ndërmjetësim nga ndërkombëtarët.

“Situata është mjaft e ndërlikuar dhe po shihet që është duke shkuar nga përkeqësimi, mirëpo unë mendoj përsëri se nuk duhet lëshuar pe me anë të kësaj forme të ekstremizmit të dhunshëm”.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi.

Si zgjidhje të vetme ai rithekson, “e mira e të mirës është që Bashkimi Evropian, por edhe vendet e tjera të ndërhyjnë”.

Por, nga ana tjetër përsëri mund të ndodhë që si zgjidhje të konsiderohet, “që të hiqet reciprociteti i targave ndaj Serbisë ose që serbët të zhbllokojnë rrugët”.

Ehat Miftaraj nga Instituti Kombëtar i Drejtësisë (IKD), në një prononcim për Albanian Post thotë se zgjedhja e uljeve të tensioneve mes dy shteteve tashmë është bërë e ditur edhe nga qëndrimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Nga qëndrimi zyrtar i SHBA-ve për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, tre mesazhe ishin më të rëndësishme, e para Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, nuk ishte kritik ndaj masës së reciprocitetit të vendosur nga qeveria e Kosovës lidhur me targat, përderisa ishte kritik lidhur me strategjinë dhe mjetet që qeveria e Kosovës përdori për të imponuar reciprocitetin përmes forcave speciale të Policisë së Kosovës lidhur me targat”, deklaron Miftaraj

Po ashtu, “e fundit ngjashëm, ishte kritik lidhur me gjuhën dhe propagandën e përdorur nga dy shtetet, ku besoj se kritika ishte e drejtuar më shumë drejt presidentit Vuçiç dhe qasjes së tij në drejtim të tensionit të gjendjes në veri duke keqpërdorur popullatën serbe”.

Sipas tij, për republikën e Kosovës është e rëndësishme që të merret mesazhi i Escobar për qetësimin e kësaj situate mes Kosovës dhe Serbisë.

 

 

Ehat Miftaraj nga Instituti Kombëtar i    Drejtësisë

Miftaraj shton se, “krejt në fund, Kosova duhet të kthehet ne tavolinën e bisedimeve në Bruksel, për të diskutuar për çështje tjera që janë në interes të Republikës së Kosovës”.

Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Borell paralajmëron takimin e rradhës Kurti-Vuçiç – “Të hiqet Njësia Speciale dhe barrikadat”

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borell, përmes një deklarate ka nxitur Kosovën dhe Serbinë të ndalin çfarëdo veprime të njëanshme dhe t’i rikthehen dialogut në Bruksel.

“Po vazhdoj ta ndjek nga afër situatën në veri të Kosovës. Serbia dhe Kosova duhet që pakushte ta de-eskalojnë situatën në terren, duke i hequr menjëherë njësitet speciale policore dhe duke i hequr bllokadat në rrugë. Çfarëdo provokimi i mëtutjeshën ose vendim i njëanshëm dhe veprime të pakoordinuara janë të papranueshme”, ka deklaruar Josep Borell.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borell

Borell ka thirrur Kosovën dhe Serbinë të gjejnë zgjidhje dhe të lëvizin para.

“BE do ta mbështesë në mënyrë aktive këto përpjekje. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë kanë përgjegjësi për çfarëdo rreziku ndaj sigurisë dhe mirëqenies së komuniteteve lokale edhe në Kosovë dhe në Serbi. Këtë u’a kam theksuar në thirrjet e mia edhe presidentin Vuçiç dhe kryeministrit Kurti këtë javë”.

Stoltenberg bisedon me Kurtin dhe Vuçiçin për situatën në veri

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka biseduar në telefon me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka kërkuar nga të dy palët ta de-eskalojnë situatën në Veri të Kosovës si dhe të zgjedhin ngërçin mes tyre përmes dialogut sa më shpejt të jetë e mundur.

Stoltenberg, ka folur edhe për misionin e KFOR-it në Kosovë duke thënë se ky i fundit mbetet i vendosur të sigurojë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë.

“Kam folur me Vuçiç dhe Kurtin për nevojën e de-eskalimit të situatës në Veri të Kosovës. Është vitale që Prishtina e Beogradi të tregojnë përmbajtje dhe t’i rikthehen dialogut. Mandati i KFOR-it mbetet sigurimi i një ambienti të sigurtë si dhe liria e lëvizjes për të gjithë”, ka shkruar Stoltenberg në rrjetin e tij social në Twitter.

Gjermania kërkon zgjidhje të situatës në veri

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode ka reaguar rreth situatës në veri të Kosovës, duke bërë thirrje për dialog dhe de-eskalim të situatës.

Sipas tij të dy palët nuk duhet të fajësojnë njëri tjetrin por të gjejnë një rrugëdalje përmes bisedimeve.

“Situata në veri ka nevojë për deeskalim. Unë i bëj thirrje të dyja palëve që të flasin me njëra-tjetrën në vend se të fajësojnë njëri-tjetrin. Mënyra më e mirë, takohuni në Bruksel për të gjetur një rrugëdalje sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar Rhode në rrjetin e tij social Twitter.

Për situatën në Jarinjë dhe Bërnjak ka folur edhe drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë Susanne Schutz, e cila ka deklaruar se çdo provokim në kufirin Kosovë – Serbi duhet të ndalet.

“Ne i bëjmë thirrje të dyja palëve që të deeskalojnë dhe të takohen sa më shpejt të jetë e mundur. Mbështetje e plotë nga Bashkimi Evropian Miroslav Lajcak, Josep Borrell”, ka shkruar Shcutz në rrjetin e saj social Twitter.

Bllokada në Jarinjë dhe Bërnjak

Që nga orët e hershme të mëngjesit të 20 shtatorit, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimin e vjetër kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje të komunës së Leposaviçit, për të filluar reciprocitetin e targave.

Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda vendit

Në këto dy pika kufitare Kosovë -Serbi vazhdon të jetë e vendosur edhe njësitë speciale e Policisë së Kosovës.

Serbët lokalë shihen duke qëndruar afër makinave që kanë bllokuar pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë.

Serbët lokalë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.

Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të aplikojë masa të reciprocitetit, sa u përket targave të Serbisë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje të dyja palëve që të ndërmarrin masa, në mënyrë që të ulen tensionet në veri të Kosovës.

“I bashkohemi BE-së në thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga veprimet e mëtejme të njëanshme dhe të ulin tensionet menjëherë, pa asnjë vonesë”, është thënë në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore