Kosova

De-eskalimi dhe dialogu – togfjalëshi i zyrtarëve gjermanë për situatën në Veri


Flamuri gjerman

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode ka reaguar rreth situatës në veri të Kosovës, duke bërë thirrje për dialog dhe de-eskalim të situatës.

Sipas tij të dy palët nuk duhet të fajësojnë njëri tjetrin por të gjejnë një rrugëdalje përmes bisedimeve.

“Situata në veri ka nevojë për deeskalim. Unë i bëj thirrje të dyja palëve që të flasin me njëra-tjetrën në vend se të fajësojnë njëri-tjetrin. Mënyra më e mirë, takohuni në Bruksel për të gjetur një rrugëdalje sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar Rhode në rrjetin e tij social Twitter.

Për situatën në Jarinjë dhe Bërnjak ka folur edhe drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë Susanne Schutz, e cila ka deklaruar se çdo provokim në kufirin Kosovë – Serbi duhet të ndalet.

“Ne i bëjmë thirrje të dyja palëve që të deeskalojnë dhe të takohen sa më shpejt të jetë e mundur. Mbështetje e plotë nga Bashkimi Evropian Miroslav Lajcak, Josep Borrell”, ka shkruar Shcutz në rrjetin e saj social Twitter.

E diela shënon ditën e shtatë që kur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak për të siguruar mbarëvajtjen e vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin e targave.

Aksioni i Policisë së Kosovës është pasuar me reagime të shumta si nga shtetasit serbë të cilët jetojnë në Kosovë ashtu edhe nga politikanët serbë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore