Lajme

Fondi i Kurtit Sovran edhe ndaj Ligjit


Ilustrim: Albin Kurtin

Ndonëse Ligji për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës saktëson se asnjë fond publik dhe asnjë para publike nuk mund të përdoret ose shpenzohet pa procedura tenderuese, përveç përjashtimeve në situata emergjente dhe kur ka vetëm një operator për fusha të caktuara, diçka e tillë nuk do të vlejë për Fondin Sovran.

Kjo pasi që neni 48-të i Projektligjit për Fondin Sovran, të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e proklamoi si projekti më i madh ekonomik ndonjëherë në Kosovë, bënë të ditur se Fondi dhe Ndërmarrjet e Fondit nuk i nënshtrohen ligjit përkatës për prokurorimin publik.

Pika e parë e nenit të projektligjit thotë se “Fondi dhe ndër­marr­jet e Fondit nuk i nën­shtrohen ligjit për­katës për prokurimin publik”.

Për avokatin Xhevdet Smakiqi, neni 48-të i Projektligjit për Fondin Sovran përveç se nuk është në harmoni me ligjet tjera siç është Ligji i Prokurimit në Fuqi, shtron rrugën për korrupsion qeveritar dhe e shembë sistemin e konkurrencës së lirë të operatorëve që ofrojnë shërbime të caktuara.

Bërthama e sovranitetit ekonomik të Kosovës, siç e kishte cilësuar Kurti Fondin Sovran, sipas Smakiqit me nenin 48-të ia mundëson Bordit Mbikëqyrës, Bordit Ekzekutiv dhe tre Kryeshefave Ekzekutivë, që të gjitha parat publike dhe të hyrat e Ndërmarrjeve Publike si Telekomi, Korporata Energjetike e Kosovës të përdoren pa tenderim dhe në kundërshtim me kushtet e barabarta të konkurrencës.

“Neni 48-të i Draft Ligjit për Fondin Sovran bie ndesh direkt me Kushtetutën e Kosovës dhe parimin e Ekonomisë së Lirë. Nëse ky nen votohet nga deputetët e mazhorancës ia mundëson Qeverisë dhe të emëruarve të saj përdorimin e parasë publike dhe të hyrave të Ndërmarrjeve Publike pa tenderim dhe në kundërshtim me kushtet e barabarta të konkurrencës. Neni 48 e shndërron Kosovën në anarki dhe arbitraritet të disa personave që marrin vendime brenda Fondit Sovran”, ka thënë Smakiqi për Albanian Post.

Në anën tjetër për juristin, Arbër Jashari, nëse lekët e Fondit Sovran nuk kalojnë nëpër procedurën e prokurimit, atëherë Qeveria e Kosovës si kundërpeshë të Nenit 48-të të Projektligjit për Prokurimit Publik do duhej të parashihte ndonjë mekanizëm tjetër të kontrollit.

Në të kundërtën, argumenton ai, kjo mund të paraqet rrezik për sigurinë juridike dhe një lloj arbitrariteti të qeverisë në raport me pasuritë më të rëndësishme publike të Kosovës.

“Ndoshta në kuadër të ligjit kanë paraparë mekanizma të tjera të kontrollit ose të prokurimit publik që është e ngjashëm me Ligjin për Prokurimin Publik, por në të kundërtën nëse nuk kemi ndonjë mekanizëm tjetër të kontrollit atëherë kjo mund të paraqet rrezik për sigurinë juridike ose përvetësim ose një lloj e arbitraritetit të Qeverisë”, ka thënë Jashari për AP.

Në fakt, në të njëjtin nen, atë 48, të emëruar “Politika e prokurimit”, në pikat dy dhe tre, flitet për një bord mbikëqyrës, por nuk shpjegohet shumë rreth këtij bordi dhe as nuk sqarohet se cila do jetë pavarësia e bordit nga vendimmarrësit brenda Fondit Sovran.

“Bordi mbikëqyrës mira­ton politikën e prokurimit të Fondit në për­puthje me këtë ligj dhe me statutin e Fondit”.

Ky statut, i cili parashihet të hartohet në të ardhmen, më pas prite të përcaktojë detajet e politikës së pro­kurimit të Fondit dhe më pas do të për­cak­tohen në procedurën e blerjes së mall­rave dhe shërbimeve për­ Fon­din dhe rregullat e dety­rueshme për­ ndër­marrjet e Fondit.

Edhe pika tre e nenit, është në shërbim të pikës dy, por po njëjtë, jo shumë e qartë.

“Ndërmarrja miraton po­litikën e vet të pro­ku­rimit me pëlqimin e bor­dit ekzekutiv të Fon­dit dhe në për­puth­je me rregullat e de­ty­rue­shme të poli­ti­kës së Fondit”, thotë pika.

Kjo qartësi në shmangie të ligjit dhe paqartësi në krijimin e mekanizmave kontrollues të parasë që del nga Fondi Sovran, e ka shqetësuar njëjtë si avokatin Smakiqi edhe ish-ministrin e Financave, Haki Shatrin.

Neni i 48-të i Projektligjit për Fondin Sovran, sipas Shatrit, nuk është asgjë tjetër vetëm tendencë e Qeverisë së Kosovës për të mbikëqyrur dhe kontrolluar në mënyrë të rreptë asetet ekonomike dhe pasurive kombëtare.

Për Shatrin marrë parasysh faktin se çdo ditë ka raportime të zyrtarëve shtetërore që dalin para institucioneve të drejtësisë për shkak të një gabimi teknik apo shmangie sado të vogël nga rregullat e prokurimit me nenin në fjalë Fondi Sovran amnistohet nga procedurat e prokurimit.

“Pra përmes këtij neni udhëheqësit e Fondit Sovran kryejnë procedurat krye në vete. Pse me pas telashe me Prokurim, kështu me këtë nen Qeveria e Kosovës e zgjedh vetë partnerin i bënë procedurat e prokurimit vetë pa dhënë llogari askujt”, thotë Shatri për AP.

Neni 48-të e Projektligjit për Fondin Sovran, sipas Shatrit, shpërfaqë tendencën e Qeverisë së Kosovës për të transformuar ekonomin e tregut të lirë në një ekonomi të tipit socialist.

“Të gjitha ndërmarrjet publike, pra një strukturë e plotë me asete kombëtare përmes nenit 48-të të Projektiligjit për Fondin Sovran nuk do të nënshtrohen fare rregullave të Prokurimit. Pra kemi të bëjmë me një ekonomi të dirigjuar nga Qeveria, kjo është edhe kundër orientimeve tona Kushtetuese”, ka pohuar Shatri.

Çka është Fondi Sovran?

Fondit Sovran pritet t’i bartet pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës.

Ky është mekanizmi përmes së cilit Qeveria e Kosovës mbledhë shumën e mjeteve monetare – surpluset e rezervave, shitja e resurseve natyrore, privatizimet – për qëllime të investimeve strategjike.

Në këtë pasuri, me të cilën do të menaxhojë Fondi Sovran, hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asetet strategjike, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Kjo ka nisur të rregullohet përmes një Projektligji për Fondin Sovran, i cili u publikua më 13 mars dhe deri më 2 prill do të jetë në konsultim publik. Pas konsultimeve procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji e definon Fondin Sovran si institucion investues dhe zhvillimor të Kosovës. Kapitali themeltar i Fondit Sovran, siç thuhet në projektligj, është 20 milionë euro dhe mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Krijimi i Fondit Sovran ka qenë premtim elektoral i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Ky premtim pas marrjes së pushtetit është futur edhe në programin qeverisës katërvjeçar.

Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike.

Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po largohen nga Kosova drejt Perëndimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore