Lajme

Flet Jens Plotner: Pse e kemi me kaq urgjencë zgjidhjen e problemeve në Ballkan?


Jens Plotner

Këshilltari për politikën e jashtme në Qeverinë e Gjermanisë, Jens Plotner, në prag të Samitit të Berlinit, ka theksuar në konferencë për media se lufta në Ukrainë ka shtuar urgjencën që ‘konflikteve’ në rajonin e Ballkanit Perëndimor t’u vije fundi.

“Po përmend vetëm konfliktin e zjarrtë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, për të cilin Gjermania dhe Franca po përpiqen të mbështesin emisarin special (Miroslav) Lajçak”, ka thënë ai duke shtuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian, është një çështje që shqetëson kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

“Që kjo të funksionojë, ne besojmë se konfliktet duhet të zgjidhen dhe mund të gjenden modele bashkëpunimi për të ardhmen,” nënvizoi Plotner.

Ai beson se procesi i Berlinit mund të sjellë një klimë pozitive dhe mund të ketë një efekt stimulues në perspektivat e anëtarësimit në BE.

Në kuadër të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Berlin, ministrat e gjashtë shteteve ballkanike janë dakordësuar për lëvizjen e lirë të njerëzve, për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale.

Plotner deklaroi se pas negociata dy-vjeçare, të gjashtë vendet e Ballkani Perëndimor do të nënshkruajë tri marrëveshje, e që do të sjellin përparim të vërtetë për njerëzit e rajonit.

“Njëra është marrëveshje e ndërsjellë për njohjen e letërnjoftimeve, pastaj ajo për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe e treta është një njohje reciproke e kualifikimeve profesionale”, u shpreh diplomati gjerman.

Jens Plotner – kolosi i diplomacisë që po merret me dialogun Kosovë – Serbi

Jens Plotner së bashku me Emanuel Bonne kanë hartuar propozimin franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, të cilin Albanian Post e ka publikuar me 18 shtator.

Plotner ka karrierë të gjatë si diplomat, dhe është këshilltar për politikën e jashtme dhe të sigurisë i kancelarit Olaf Scholz që nga dhjetori 2021.

Jens Plotner ne bisede me Olaf Scholz

Para kësaj pozite, nga prilli 2019 deri në dhjetor 2021 ka qenë Drejtor Politik në Ministrinë e Jashtme Federale.

Në vitin 1994 hyri në shërbimin e jashtëm dhe, pasi kreu trajnimin për atashe në vitin 1996, u bë zv/drejtues zyre pranë Ministrit të Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane.

Më pas kishte punuar në Departamentin Politik të Ambasadës në Izrael nga viti 1998 deri në vitin 2002 përpara se të bëhej zëdhënës për Lindjen e Mesme dhe Çështjet e Kombeve të Bashkuara në Zyrën Federale të Jashtme deri në vitin 2005.

Pas kësaj, ai ishte së pari zëvendës zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Federale dhe më pas nga viti 2007 deri në 2008 zëvendësdrejtor i zyrës ministrore të Frank-Walter Steinmeier.

Nga viti 2009 deri në vitin 2012, Jens Plotner ishte ambasador në Shri Lanka, i bashkëakredituar në Maldive. Nga qershori 2012 deri në 2014, Plotner ishte ambasador në Tunizi, duke pasuar Horst-Wolfram Kerll, i cili kishte dalë në pension.

Nga viti 2014 deri në vitin 2017 ka qenë Shef i Zyrës së Ministrit në Ministrinë e Jashtme Federale (përsëri nën ministrin e Jashtëm Steinmeier). Nga korriku 2017 deri në mars 2019, Plotner ishte ambasador në Greqi.

Në prill 2019, u emërua Drejtor Politik i Ministrisë së Jashtme Federale, duke e bërë atë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ministrit të Jashtëm Heiko Maas.

Pasi kishte kryer shërbimin ushtarak në Bundesver, Plotner studioi fillimisht Drejtësinë, dhe më pas u specializua në të Drejtën Publike dhe të Drejtën Ndërkombëtare. Studimet i ka të kryere në disa universitete si ai i Hamburgut, Bordos dhe Sorbones. Kurse shkencat politike i ka të përfunduara në Institutin për politika në Paris.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore