Lajme

Flamuri fashist serb në zhveshtore të futbollistëve në Katar, Çeku: Mesazh gjenocidal ndaj Kosovës


Hajrullah Çeku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përmes një cicërime në Twitter, ka reaguar pasi të enjten në dhomat e zhveshjes së lojtarëve të Serbisë në Katar, është shfaqur një flamur ku shihej harta e Kosovës, me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.

Çeku ka thënë se Kupa e Botës po shfrytëzohet nga Serbia për të përçuar urrejtjen, ksenofobinë dhe mendësinë gjenocidale të serbëve në drejtim të Kosovës.

“Pamje të turpshme nga zhveshtorja e Serbisë, duke shfaqur mesazhe urrejtjeje, ksenofobie dhe gjenocidale ndaj Kosovës, teksa shfrytëzojnë platformën e Kupës Botërore”.

Ai ka theksuar se organet e FIFA-s duhet të marrin masa duke u nisur nga fakti se Federata e Futbollit të Kosovës është anëtar i plotë i FIFA-s dhe UEFA-s.

FFK tashmë ka paraqitur një ankesë zyrtare në organin më të lartë drejtues të futbollit në botë.

Nga FFK veprimi i Serbisë është parë si “agresiv” dhe ngjarja është e pavend për një ndeshje futbolli, sidomos kur bëhet në një kompeticion si Kupa e Botës.

“Akte të tilla të shoviniste nuk kanë vend në një ngjarje sportive, e aq më pak brenda objekteve ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror, prandaj FFK si anëtare e barabartë me të gjitha anëtaret e tjera të FIFA-s, kërkon nga ky institucion që të ndërmarrë masa sanksionuese ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes popujve dhe janë kundër vlerave njerëzore”, thuhet në njoftimin e federatës.

Ndryshe, UEFA në një përgjigje për Albanian Post, ka deklaruar se nuk është brenda juridiksionit të tyre të komentojnë zhvillimin.

“Kupa e Botës bie nën rregullacionet e FIFA-s. Prandaj, ne sugjerojmë që për këtë çështje të kontaktohet FIFA”, thuhet në përgjigje për AP.

AP ka provuar të kontaktojë edhe me FIFA-n, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pasur një përgjigje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore