Bota

Fitorja e Biden nuk mund të bllokohet nga Pence


Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence ka njoftuar presidentin Donald Trump se nuk ka autoritetin të bllokojë certifikimin e fitores së Joe Biden. Kongresi do të mblidhet të mërkurën për të numëruar votat elektorale.

Më parë, presidenti Trump ka ushtruar presion mbi Pence. Ai e paralajmëroi se do të ishte “politikisht e dëmshme” për të nëse refuzonte të bllokonte certifikimin e zgjedhjeve.

Ndërkohë, Pence bëri me dije se autoriteti për ta bllokuar certifikimin ekziston. Por, ky autoritet nuk i përket atij. Këtë njoftim Pence e ka marrë nga zyra e këshilltarit në Shtëpinë e Bardhë.

Biseda midis Pence dhe Trump-it erdhi pas takimeve që zëvendëspresidenti pati në Senat mbi rolin e tij dhe procedurat që duhet të ndiqen.

Lajmi u raportua fillimisht nga New York Times.

Nga ana tjetër, presidenti Trump e mohoi këtë lajm. “Raportimi i New York Times është ‘Fake News’. Pence nuk ka thënë asnjë nga ato fjalë”, deklaroi ai.

Trump ka shtuar se “ai dhe Pence janë në sintoni të plotë përsa i përket çështjes”.

Burime të tjera thonë se Trump është “i nxehur” me Pence. Burime për CNN, theksojnë se “Trump pritet të fshikullojë Pence të mërkurën”. Trump pritet të flasë ndërkohë që Pence do të jetë prezent në numërimin e votave elektorale në Kongres.

Ndërkohë ka edhe burime të tjera që bëjnë me dije se Pence mund të mbajë një qëndrim mbështetës ndaj Trump-it.

Situata mbetet e paqartë një ditë përpara numërimit të votave elektorale në Kongres. Gjatë gjithë fazes post-zgjedhore, presidenti Trump ka deklaruar manipulime votash në disa shtete. Prej ditësh ai tashmë kërkon që zëvëndësi i tij, të bllokojë certifikimin e zgjedhjeve.

Trump u përfshi dhe në një përgjim ku ai kërkonte vjedhje votash në shtetin e Georgia-s./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore