Lajme

“Fitore e radhës kundër zhvatësve”, Peci pasi Ministrisë Bujqësisë iu kthye një pronë


Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, njoftoi se shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale e ka hedhur poshtë vendimin e shkallës së parë për çështjen e lirimit të pronës së ministrisë, që po shfrytëzohet nga operatori ekonomik ‘Patroni’, teksa këtë vendim e ka cilësuar si “fitore të radhës kundër zhvatësve”.

“E përshëndes vendimin e Shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, i cili hedh poshtë vendimin amatoresk e jo-profesional të shkallës së parë karshi kontestit për lirimin e pronës së Ministrisë së Bujqësisë e cila po shfrytëzohet pa marrëveshje kontraktuale nga operatori ekonomik “Patroni”, ka shkruar ai në Facebook.

“Sikurse edhe kemi paralajmëruar, në atë lokacion do të ndërtohet objekti i ri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencive vartëse në mënyrë që t’i plotësojmë kushtet për akreditimin në IPARD”.

Ai ka theksuar se mbetet i përkushtuar dhe i vendosur në angazhimin e tij si ministër deri në rikthim të pronës në Ulpianë dhe pastrimin e gjendjes në Stankaj të Pejës.

“Pa pardon karshi abuzimit me pronën shtetërore. Me drejtësi dhe ndershmëri”.

Dy vite më parë, Pecit i ishte ofruar mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës pasi kishte marrë kërcënime.

Kërcënimet kishin ardhur si pasojë e deklaratës së Pecit se ka të gjetura skandaloze nga Komisioni që është themeluar pas vërejtjeve të Auditorit të Përgjithshëm, rreth menaxhimit të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

“Të gjeturat janë skandaloze, shumë më skandaloze sesa vërejtjet e marra në vazhdimësi nga Auditori”, kishte njoftuar Peci.

“Andaj, për të gjitha këto veprime të kundërligjshme, ftoj Prokurorinë e Shtetit që të vihet në shërbim të zbardhjes së këtyre rasteve abuzive sepse adresimi i këtyre problemeve të shtresuara, nuk zgjidhet vetëm me adresime administrative”.

Ministri ishte shprehur se uzurpimi dhe tjetërsimi i pronës publike është bërë nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore