Lajme

Fitim Uka tregon arsyet përse ka gjasë të heqë dorë nga pozita e deputetit


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka paralajmëruar dorëheqjen e tij nga pozita e deputetit.

Në një prononcim për Albanian Post, ai ka sqaruar se pse mund të vijë deri te një vendim i tillë.

“Në rast se në të ardhmen e afërt detyrohem të zgjedh mes politikës dhe punës si profesor në Universitetin e Prishtinës, unë do zgjedh këtë të dytën, pra do të vazhdoj në Universitin e Prishtinës”, ka thënë Uka për AP.

Ai tutje ka theksuar se angazhimi i tij politik brenda Lëvizjes Vetëvendosje, nuk do të përfundojë në rast se detyrohet që të japë dorëheqje nga pozita e deputetit.

“I pashë disa interpretime të tjera, kjo nuk është dorëheqje prej Lëvizjes Vetëvendosje dhe pjesa tjetër unë nuk kam dhënë domosdoshmërisht tërheqje nga politika, por tërheqjen nga posti i deputetit”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka.

Ndërsa, tutje është shprehur se një vendim i tillë është edhe për shkak të anës ligjore.

“Me ligjin aktual neve si profesor të Universitetit të Prishtinës na është pamundësuar që me gëzu edhe të drejtën për punë me gjysme orari në Universitetin e Prishtinës, por edhe avancimin rrjedhimisht kështu qe kjo është arsyeja pse”.

Uka ka bërë të ditur se hapja e konkursit për avancim brenda Universitetit të Prishtinës është çështje ditësh.

“Me sa di, së shpejti do të hapen konkurset për avancim brenda UP-së, ku unë i kam plotësuar kriteret moti për avancim, por si rezultat i angazhimit në politikë më kanë mbetur peng avancimi. Kjo është arsye pse unë e konsideroj, në rast se tash vjen sërish e njëjta mundësi, do zgjedh të shkoj në drejtim të universitetit”.

“Me sa unë kam dëgjuar, Universiteti i Prishtinës është duke përgatitur konkursin për avancim, kështu që mundet me qenë çështje muaji maksimalisht kjo ideja e tërheqjes”.

Ndryshe, më 4 mars të 2021, Fitim Uka kishte bërë të ditur se është zgjedhur sërish deputet në Kuvendin e Kosovës dhe për këtë ai kishte falënderuar 12 mijë e 153 votuesit e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore