Shqipëria

Firmoset nga Rama konfiskimi i 15 ndërtimeve pa leje


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka firmosur konfiskimin e 15 ndërtesave, të cilat janë ndërtuar pa leje.

Kjo, si vijim i një fushate ndaj ndërtimeve të paligjshme apo godinave ku ka pasur shtesa, të cilat janë në kundravajtje me planin fillestar të ndërtimit.

Përmes një videomesazhi në median sociale Facebook, Rama ka treguar edhe aktet e vendosura, ku ka bërë me dije se ambientet e ndërtesave do të përdoren për interes të shtetit, si zyra qeveritare apo si pjesë e programit të strehimit me shtëpi sociale.

Muaj më parë, kreu i Qeverisë e kishte paralajmëruar një vendim të tillë për objektet e ndërtuara pa leje, ku një sërë opsionesh ishin parashtruar, që nga legalizimi i tyre kundrejt pagesës së një takse shtesë ndaj shtetit, konfiskimi i pjesshëm apo edhe ai i plotë, si në rastin e fundit.

“Ky operacion ligjzbatimi, i cili ka vazhduar përtej Tiranës, në një fushë ku e dini shumë mirë të gjithë, ka pasur shumë probleme në 30 vjet, dhe ku kemi ardhur duke ngushtuar rrethin e shkeljeve, përbën edhe kapakun e kësaj historie, pasi s’besoj se do gjenden më të atillë të marrë që t’i hyjnë një aventure me fund të paralajmëruar”, bëri me dije Rama në mesazhin e tij.

Ndër të tjera, ai i është përgjigjur edhe akuzave të shkuara, se e gjitha bëhej për spektakël apo për të larguar vëmendjen nga situatat e tjera në vend.

“Është pazar me oligarkët për t’ua kthyer mbrapsht të legalizuara metrat e katet pa leje”, risolli në kujtesë Rama akuzat ndaj tij, duke shtuar se “kjo, nuk ishte e vërtetë”.

Për më tepër, ai akuzoi edhe prokuroritë e rretheve, pasi shkresat të cilat ai ka firmosur, prej kohësh ndodhen mbi tryezat e tyre, po veprime konkrete nuk janë marrë.

Megjithatë, me këtë akt të parë real të konfiskimit të objekteve, kryeministri është i bindur se do t’i vijë fundi edhe paligjshmërisë së ndërtimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore