Lajme

“Firma, hotel, vilë dhe miliona euro” – pasuria e Radojçiç-it në Serbi


Milan Radojçiç.

Pesë kompani, ambiente biznesi, një hotel në Kopaonik, një vile në një pjesë elitare të Beogradit, të gjitha këto në Serbi figurojnë të jenë në pronësi zyrtare të Milan Radojçiç-it.

Pronësinë e këtyre pronave Radojçiçi e ndan së bashku me biznesmenin Zvonko Vesellinoviç nga Veriu i Kosovës dhe vëllain e tij Zharkon.

Sipas raporteve financiare të cilat janë analizuar nga Radio Evropia e Lirë kompanitë që operojnë nga ta kanë fituar mbi 24 milionë euro vetëm në vitin 2022.

Pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit të dielën e 24 shtatorit, shteti i Serbisë ia mundësoi kompanisë së tij edhe ndërtimin e një ure në afërsi të Kralevës, në vlerë të rreth një milion euro.

Radojçiç, së bashku me Zvonkon dhe Zharko Vesellinoviç-in, zyrtarisht janë të regjistruar me emrin e tij si pronar i një kompanie – “Inkop” nga Quprija në Serbinë qendrore.

“Inkop” si kompani amë, zotëron edhe katër kompani tjera që zhvillojnë aktiviteteve të ndryshme nga ndërtimi, menaxhimi i hoteleve, deri te trafiku.

Pasuria e këtyre pesë kompanive kapin vlerën e së paku 38 milionë euro, bazuar në raportet financiare për vitin 2022 në Agjencinë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë (APR).

Vila e Radojçiç-it e konfiskuar nga institucionet e Kosovës.

Aksionet e Radojiçiç dhe Vellinoviç në atë kompani janë nga 40 për qind, kurse Vesellinoviç ka 20 për qind.

Kompania “Inkop”, është e sanksionuar së bashku me pronaret e saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mirëpo, pasi që s’janë të detyrueshme për Serbinë, “Inkop” vazhdon të funksionoj pa pengesa.

Një tjetër pasuri e Radojiçiç-it, është edhe vila prej gati 500 metrash katrorë në një zonë elitare të Beogradit nga sytë e publikut.

Një vilë me pishinë dhe një truall me 15 ari pranë stadiumit të futbollit Cërvena Zvezda po ashtu figurojnë të jenë në pronësi të kompanisë “Inkop”.

Çmimi mesatar për metër katror për shtëpitë në atë komunë të Beogradit është rreth 4 mijë euro, bazuar në të dhënat e Agjencisë për patundshmëri për vitin 2023.

Pra, vlera e kësaj vile kushton në treg së paku 2 milionë euro.

Edhe pas sulmeve në Banjë më 24 shtator, shteti ua mundësoi Radojiçiç-it dhe vëllezërve Vesellinoviç që të marrin punë nga shteit.

Më 27 shtator, kompania publike “Putevi Srbije (rrugët e Serbisë)” ia bësuan asaj ndërmarrjeje ndërtimin e urës në Adrane afër Kralevës, me vlerë rreth një milion euro.

Edhe ajo kompani është nën sanksionet amerikane porse merr kontrata nga shteti i Serbisë.

Milan Radojiçiç dhe Zvonko Veselinoviç-it.

Ajo mori kontrata për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve në disa qytete dhe komuna në Serbinë jugperëndimore.

Vitin e kaluar, në vitin 2022, fitimet e kompanisë ishin rreth 6.5 milionë euro, ndërsa pasuria e saj kap vlerën e 10.6 milionë eurove.

Ndërsa edhe një hotel luksoz i quajtur “Grey”  në Kopaonik funksionon pa licencë, ky hotel përfshin me dhjetëra dhoma dhe suita, një pishinë, një qendër SPA dhe restorant.

Pronar i objektit dhe parcelës me 25 ari është kompania “DollyBell” me seli në Beograd – e cila po ashtu ka për kompani amë “Inkop”-in.

Kjo do të thotë se pronarët e vërtetë të hotelit janë Millan Radojiçiç dhe vëllezërit Vesellinoviç.

Kompania që menaxhon hotelin në Kopaonik, sipas raporteve financiare për vitin 2022, ka asete me vlerë rreth 16 milionë euro në pasuri të paluajtshme dhe pajisje.

Raporti tregon, gjithashtu, se kompania ka raportuar një humbje prej rreth 700 mijë eurosh vitin e kaluar.

Hoteli funksionon që nga janari 2016, sipas raporteve të mediave nga hapja zyrtare, si dhe fotove nga profili i hotelit në Instagram.

Gjithashtu, hoteli ka edhe një tarracë, e cila sipas fotografive dhe pamjeve satelitore të analizuara  ndodhet në tokë shtetërore.

Para dy jave ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte bërë të ditur se policia e Kosovës ka kryer bastisje në banesën e Milan Radojçiç, në vilën tij në Liqenin e Ujmanit në një aneks/ngrohtore të Spitalit të Mitrovicës si dhe në shtëpinë e Vladimir Radojeviç i njohur me nofkën “Mami”.

Radojçiç gjatë sulmeve në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore