Lajme

Finlanda dhe Çekia me mbështetje të fortë – Niinistö e Pavel: Kosova të anëtarësohet sa më shpejt në KiE


Keshilli i Evropes

Presindeti i Finlandës, Sauli Niinistö dhe presidenti i Çekisë, Petr Pavel, në Samitin e Këshillit të Evropës në Rejkjavik të Islandës këtë të mërkurë, theksuan mbështetjen e fuqishme të vendeve respektive për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

“Ndërsa vëmendja jonë kryesore është në Ukrainë, ne theksojmë nevojën për mbështetje edhe për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor. Finlanda mirëpret hapat e mëtejshëm për të avancuar anëtarësimin e mëtejshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Niinistö.

“Nuk duhet të harrojmë për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe partnerët e tjerë që po përballen me presionin dhe frikësimin rus. Gjithashtu do të doja të shfrytëzoj këtë rast për të ritheksuar mbështetjen tonë të plotë për synimin e Kosovës për t’u bërë sa më shpejt anëtare e Këshillit të Evropës”, tha Pavel.

Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, si dhe disa shtete jo-anëtare, duke përfshirë Kanadanë, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara, plus Bashkimin Evropian, në këtë Samitin e KiE-së kanë rënë dakord të krijojnë një regjistër të dëmeve të shkaktuara nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, në një mbledhje të jashtëzakonshme më 24 prill të këtij viti, me më shumë se 2/3 e votave procedoi tutje aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Asamblenë Parlamentare të KiE-së.

Udhëheqësit e Këshillit të Evropës miratuan “Parimet e Rejkjavikut për Demokracinë” – parime që duhen respektuar nga shtetet demokratike, si liria e shprehjes, grumbullimi dhe asociimi, institucionet e pavarura, lufta kundër korrupsionin dhe pjesëmarrja demokratike e shoqërisë civile.

Nga gjithsej 46 shtete sa votuan në Komitetin e Ministrave që t’ia përcjellin Asamblesë Parlamentare kërkesën për anëtarësim të Kosovës, 33 shtete, duke përfshirë edhe shtetet e rajonit si Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia, votuan votuan pro, derisa 12 të tjera kundër ose abstenuan.

Deri në arritjen e destinacionit të dëshirueshëm, që është anëtarësimi i Kosovës me të drejta të plota në KiE, ka ende shumë punë dhe mund të marrë shumë kohë. Procesi i votimit në KiE, mund të jetë sinjal për vështirësitë që presin shtetin e ri në rrugën e saj drejt njohjes nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Greqia, Sllovakia, Hungaria – Çka mësoi Kosova nga mënyra se si u votua në KiE?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore