Kosova

Greqia, Sllovakia, Hungaria – Çka mësoi Kosova nga mënyra se si u votua në KiE?


Këshilli i Evropës

Abstenimi i Greqisë dhe Sllovakisë në Këshillin e Evropës (KiE), ku Komiteti i Ministrave votoi pro vendimit që t’ia përcjellin Asamblesë Parlamentare të KiE-së (APKE) kërkesën për anëtarësim të Kosovës në organizatë, i konfirmoi ato si dy shtete me qëndrim më “të butë” krahasuar me shtetet e tjera mosnjohëse brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s, thonë njohësit e çështjeve politike.

Përveç pesë shteteve mosnjohëse brenda BE-së, respektivisht katër shteteve të NATO-s – Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia – Hungaria njohëse doli befasisht në skenë duke votuar kundër shtetit kosovar në rrugën e saj drejt anëtarësimit në organizatën që është ngritur mbi parimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.

Nikolaos Tzifakis, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Peloponezit, në një prononcim për Albanian Post, tha se abstenimi i Greqisë dhe vendeve tjera mosnjohëse, nuk duhet të shihet si befasi, ngase sipas tij, në radhë të parë, njohësit dhe mosnjohësit – secila e përcakton politikën e saj sipas interesave të veta kombëtare – nuk duhet të trajtohen si blloqe koherente.

“Nuk ka asgjë të re rreth Greqisë apo faktit se mosnjohësit iu qasen ndryshe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Për shembull, në përpjekjen e Kosovës për t’iu bashkuar UNESCO-s në vitin 2015, Greqia abstenoi (si dhe Rumania), ndërsa Qiproja, Sllovakia dhe Spanja votuan kundër. Greqia ka zhvilluar marrëdhënie më të afërta me Kosovën në krahasim me shumë shtete njohëse”, tha ai.

Ndërkaq, për ekspertin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian në Qendrën për Studime të Politikave Evropiane në Bruksel, Toby Vogel, abstenimi i Athinës dhe Bratislavës në njerën anë dhe kundështimi i Budapestit në anën tjetër, janë dy zhvillime që tregojnë për intensifikimin e zhvendosjes graduale të qëndrimeve në raport me zhvillimet që kanë qenë në horizont tash e një kohë.

“Greqia dhe Sllovakia kanë qenë për një kohë mosnjohëse ‘të buta’  – përderisa nuk kanë lëvizur drejt njohjes aktuale, kanë qenë mjaft të ngrohta dhe konstruktive ndaj Kosovës në aspektin praktik. Hungaria, përkundrazi, de facto është bashkuar me radhët e mosnjohësve”, tha Vogel, ndërsa përmendi mbështetjen e Viktor Orban-it për Aleksandër Vuçiç-in në çështje që kanë të bëjnë me Kosovën.

Marrëdhëniet mes dy liderëve populistë e autoritarë – kryeministrit hungarez dhe presidentit serb – janë betonizuar në marrëdhënie të ngrohta që karakterizohen me takime të shpeshta mes tyre, prandaj Vogel tha për AP se qëllimi kryesor i Orban-it është të minojë unitetin e BE-së për çdo çështje dhe të mbrojë aktorët kryesorë pro-Kremlinit në Ballkan – Vuçiç-in dhe Milorad Dodik-un.

Tzifakis nga ana tjetër, i cili drejton Qendrën “Jean Monnet” për Politikën e Jashtme të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, gjithashtu pohoi se përgjatë viteve të fundit, shteti hungarez dhe ai serb kanë gjetur mbështetje tek njëri-tjetri, përfshirë edhe Republikën Srpska – entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë – prandaj qëndrimi i Hungarisë kundër integrimit evropian të Kosovës ishte i pritshëm.

“Hungaria në vitet e fundit është afruar për së tepërmi me Serbinë dhe me Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Manifestimet e solidaritetit hungarez ndaj çështjeve të interesit kombëtar serb nuk duhet të duken befasuese”, nënvizoi Tzifakis kur komentoi për AP zhvillimet e fundit në Strasburg të Francës lidhur me procesin e anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Deri në arritjen e destinacionit të dëshirueshëm, që është anëtarësimi i Kosovës me të drejta të plota në KiE, ka ende shumë punë dhe mund të marrë shumë kohë. Madje, sipas Vogel, procesi i votimit në KiE, ndonëse 33 shtete votuan pro Kosovës, mund të jetë sinjal për vështirësitë që presin shtetin e ri në rrugën e saj drejt njohjes nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s.

Në vorbullën e këtyre zhvillimeve, një aspekt tjetër mjaft i rëndësishëm është fakti se Serbia nuk e fshehu armiqësinë e saj ndaj Kosovës, duke testuar edhe fuqitë e BE-së. Jo vetëm që Serbia votoi kundër, por kërcënoi shtetet që votuan pro anëtarësimit të shtetit kosovar në KiE ose abstenuan, veçanërisht Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Ukrainën.

Kur së shpejti do të zhvillohet edhe takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, e ardhmja e Marrëveshjes së Ohrit po shfaqet e zymtë për faktin se marrëveshja e fundit, saktësisht artikulli 4 i saj, përcakton që Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Megjithatë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, refuzoi të deklarohej nëse Serbia e shkeli zyrtarisht Marrëveshjen e arritur fillimisht në Bruksel me 27 shkurt, pastaj e përforcuar me Aneksin e Zbatimit në Ohër më 18 mars. Ai tha se në Bruksel e kanë të qartë votën e Serbisë në KiE, pa përmendur sanksionet për sabotim të marrëveshjes siç paralajmëronin në fillim.

Vogel potencoi se vota e Serbisë kundër Kosovës, nuk duhet të lexohet si shkelje e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, ngase siç tha ai, institucionet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara e kuptojnë se sa e brishtë është marrëveshja, prandaj edhe i shmangen çdo gjëje që mund ta shqetësojë Vuçiç-in dhe njëkohësisht, duke ushtruar presion ndaj palës më të dobët në dialog – Kosovës.

“Në këtë kontekst, nuk ka asgjë befasuese. SHBA-të po bëjnë saktësisht të njëjtën gjë, duke lavdëruar Vuçiç-in për pranimin e marrëveshjes dhe duke u fokusuar në detyrimin e Kosovës për të zbatuar dispozitat e saj. Presioni masiv mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe/Zajednicës do të vazhdojë si nga evropianët ashtu edhe nga amerikanët”, deklaroi Vogel.

Ndryshe, ndonëse jo-zyrtarisht, ka pasur indikacione të qarta se kohëve të fundit disa vende brenda BE-së – Gjermania, Franca dhe Italia – me mbështetjen e SHBA-ve, synonin ta kushtëzonin rrugën e anëtarësimit të Kosovës në KiE pikërisht me progresin në çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe për të cilën Kosova dhe Serbia nuk po pajtohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore