Sport

Finalja e Ligës së Kampionëve zbret në Premier Ligë


Premier Liga do të luajë finalen e parakohshme të Ligës së Kampionëve, midis Manchester City-t dhe Chelsea-t. Kësaj radhe, City luan për titullin në Premier Ligë, ndërsa Chelsea luan për kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Ndeshja do të luhet në “Etihad Stadium” duke filluar nga ora 18:30. Kryesori i sfidës do të jetë Anthony Taylor.

City pas 34 javësh renditet në vendin e parë në kampionat me 80 pikë. 13 pikë dhe një ndeshje më pak ka Manchester United-i i vendit të dytë. Chelsea ka 61 pikë pas 34 javësh të luajtura.

Blutë e Londrës rrezikojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, pasi pas tyre me diferencë të vogël pikësh qëndrojnë: West Hami-i me 58 pikë, Tottenham-i me 56 pikë dhe Liverpool-i me 54 pikë, me këta të fundit që kanë një ndeshje më pak.

City në “Etihad” ka arritur të marrë 38 pikë, duke qenë ekipi me më shumë pikë të grumbulluara në shtëpi, pas 17 javësh. 13 fitore, tre barazime dhe vetëm një humbje kanë arritur të marrin Qytetarët në shtëpi.

Chelsea në ndeshjet në transfertë ka arritur të grumbullojë 31 pikë. Nëntë fitore, katër barazime dhe katër humbje kanë marrë Blutë si ekip udhëtues.

Në këtë sfidë, City vjen pas fitores 2-0 përballë PSG-së në Ligën e Kampionëve dhe fitores 0-2 përballë Crystal Palace-s në Premier Ligë. Chelsea vjen pas fitore 2-0 me Real Madrid-in në Ligën e Kampionëve dhe fitores, po me rezultatin 2-0 përballë Fulham-it.

Ndeshja e fundit mes dy ekipeve ishte në gjysmëfinalen e Kupës FA, të cilën Chelsea e fitoi me rezultatin 1-0, falë golit të Hakim Ziyech-ut. Ndeshja e fundit në Premier Ligë, midis dy ekipeve, e luajtur gjatë fazës së parë të kampionatit, ka përfunduar me rezultatin 1-3 për City-n. Golat për City-n u shënuan nga Ikay Gundogan-i, Phil Foden-i dhe Kevin de Bruyne. Për Chelsea-n shënoi Callum Hudson-Odoi.

Pep Guardiola pritet të luajë me skemën 4-3-3: Ederson, Zinchenko – Dias – Laporte – Walker, Gundogan – Fernandinho – Silva, Foden – De Bruyne – Mahrez.

Thomas Tuchel pritet të luajë me skemën 3-4-2-1: Mendy, Azpilicueta – Thiago Silva – Rudiger, Chilwell – Jorginho – Kante – James, Mount – Pulisic, Havertz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore