Zgjedhjet në Shqipëri

Rama: Fillon ndërtimi i bypass-it në zonën historike të Gjirokastrës


Fillon ndërtimi i bypass-it në zonën historike. E gjithë qendra historike do të jetë zonë pedonale.

Tek ura e Nazës pritet vendimi i Unesco-s për të filluar punimet. Do të zgjidhen problemet e rrëshqitjes. Do të kryhen stabilizimet e kalasë dhe të të dy shpateve. Do të bëhen ndërhyrje në fasadat e godinave për të krijuar një uniformitet dhe do të integrohen të gjitha godinat në harmoni të plotë.

Pjesa që shkon drejt qendrës historike do të hyjë në parkim. Ndërsa banorët ose rezidentët do të përdorin bypass-in. Në këtë mënyrë do të shmangen problemet e lëvizshmërisë me makinë. Zona e Kalasë do të jetë vetëm për këmbësorët. Rruga e re do të zbulojë një pjesë tjetër të Gjirokastrës, atë të Dunavatit. Në këtë zonë ka shtëpi karakteristike me vlera historike dhe arkitekturore.

Rama saktësoi se falë marrëveshjes më qeverinë turke në Ankara, do të bëhet një ndërhyrje e konsiderueshme në Gjirokastër dhe Berat. Do të vazhdohet me restaurimet dhe rijetëzimet.

Gjithë pjesa e Dunavatit, që sot është e fshehur do të kthehet në një tjetër pol brenda Gjirokastrës. Do të jetë një pol i kompletuar bashkë me polin e qafës së pazarit.

Pritet që pas përfundimit të investimeve në këtë zonë të hapen biznese të reja dhe të rigjenerohet ekonomia.

Shtëpitë e rrënuara

Në raport me shtëpitë e rrënuara, Rama tha se duhet menduar një qasje fiskale për ata që marrin përsipër të rindërtojnë dhe duhet t’i jepet një incentif pa taksa vendore për një periudhë kohore.

Kryeministri tha se për personat që mbajnë peng këto shtëpi duhet vendosur një taksë që t`i shtyjë t`i rindërtojnë apo t`i japin me qira.

“Nuk mund të marrin peng një pasuri që është pjesë e thesarit të kombit dhe ta lënë të rrënohet se nuk merren vesh me 49 pronarë. Del njëri thotë s`dua dhe rrënohet pasuria. Kjo nuk duhet lejuar.  Kjo praktikë është praktikë e  vendeve që kanë të tilla pasuri”, theksoi Rama.

Rrjeti muzeal 

Janë bërë ndërhyrje në rrjetin muzeal, në shtëpinë Kadare, Muzeun Etnografik, Sokakun e të Marrëve.  Shtëpia Kadare është shndërruar në Muze Kadare. Punimet e rrjetit muzeal janë në vazhdimësi. E gjithë zona po transformohet në zonë muzeale.

Muzeu etnografik do të ketë përmasa kombëtare. Në kuptimin e statusit që ka Marubi apo muzeu etnografik në Korçë. Do të vijojë mobilimi urban. Disa komponentë do të shndërrohen në muze të hapur.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore