Lajme

Fillon lufta në Donbass, njofton Zelensky


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka pohuar se lufta në Donbass ka nisur dhe po zhvillohet aktualisht në territorin lindor të Ukrainës.

Lajmërimi i tij ndjek paralajmërimet e zyrtarëve të lartë ukrainas, të cilët i kanë paraprirë ngjarjeve në Ukrainë.

“Mund të konfirmojmë se trupat ruse kanë filluar luftën për Donbass-in”, shkruhet në njoftimin për shtyp të dalë nga Presidenca ukrainase. “Ata e kanë përgatitur prej kohësh. Një pjesë e mirë e Ushtrisë ruse i është dedikuar asaj ofensive në lindje”.

Volodymyr Zelensky

Nga raportimet që vijnë prej mediave lokale në zonë, shpërthime masive janë dëgjuar përgjatë gjithë vijës mbrojtëse lindore në Ukrainë.

Jo vetëm artileri e rëndë, por edhe predha e raketa të shumta kanë filluar goditjet në Donetsk dhe Luhansk – një rajon i pretenduar shumë më herët nga Moska dhe nën shënjestër të vazhdueshme të Vladimir Putinit.

Një ofensivë të tillë të forcave ruse e kanë paralajmëruar më herët edhe fuqitë perëndimore.

Sipas shërbimeve inteligjente amerikane, ishte pikërisht tërheqja nga Kievi, sinjali i parë i rigrupimit dhe misionit të ri rus.

Pikërisht rajoni i Donbass-it do të ishte i godituri sipas amerikanëve dhe faktet po vërtetojnë këtë gjë.

Vëmendja kryesore përgjatë ditëve të fundit ka qenë e përqendruar në Mariupol. Qyteti juglindor ndodhet në rrethim prej më shumë se një muaji dhe është edhe pika kyçe e gjithë luftës që po zhvillohet.

Pamje nga Mariupoli

Nëse rusët arrijnë ta marrin, atëherë ata do të mund të lidhin një korridor tokësor mes Donbass-it dhe gadishullit të aneksuar të Krimesë.

Kjo gjë do t’i jepte një avantazh të madh Putinit në strategjinë që ai do të kërkojë të ndjekë në vijim për negociatat.

Ndërsa, qëllimet reale mbi Donbass-in, nuk dihet nëse janë ato të një modeli aneksimi si Krimea apo bashkimi nën petkun e Federatës ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore