Lajme

Fillon afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet në Veri


Foto nga arkivi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur se më 20 mars ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok si dhe për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill.

Afati i këtij aplikimi do të përfundojë më 27 mars 2023.

“Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna. Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së ëëë.kqz-ks.org (Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për votuesit > Votimi përmes postës) apo në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, kishte njoftuar se të hënën e 13 marsit ka përfunduar afati për certifikimin të subjekteve politike.

Sipas tij, 11 parti e kanë deklaruar mospjesëmarrjen, por jo edhe Lista Serbe e cila pati njoftuar më 9 mars se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të komunave në katër komunat veriore të Kosovës, të cilat do të mbahen më 23 prill.

Elezi theksoi se nga data 9 mars deri më 13 mars subjektet politike kanë mundur ta njoftojnë KQZ rreth pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje.“Duke u mbështetur në afatet e caktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke filluar nga data 9 mars dhe deri më sot, 13 mars, partitë politike të regjistruara kanë mundur ta njoftojnë KQZ-në se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në këto komuna”, tha Elezi.

“Brenda këtij afati, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar deklarimet për mospjesëmarrje në zgjedhje nga 11 parti politike: Partia Demokratike e Diasporës, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Pokret za Gora, Socialdemokratska Unija, Fjala, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Kosovaki Nevi Romani Partia, Partia Demokratike e Unitetit, Jedinstvena Goranska Partia dhe Kosova Demokratik Türk Partisi dhe Partia Balliste”.

Ndërkaq pesë parti kanë deklaruar se do të jenë pjesë e zgjedhjeve me kandidaturë, ku prej tyre PDK e LVV do të marrin pjesë.

“Gjithashtu, nga data 9 deri më 13 mars, është zhvilluar afati për konfirmimin e certifikimit të subjekteve politike, proces i zhvilluar në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar. Brenda këtij afati kemi pranuar njoftimin konfirmues nga të gjitha subjektet politike të ceritfikuara: Iniciativa Qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partija Kosovskih Srba, Sladjana Pantovic (kandidate e pavarur) dhe Lëvizja Vetëvendosje”, theksoi ai.

Më 10 dhjetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit konsultativ me partitë politike lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, kishte vendosur t’i shtyjë zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan të cilat do të mbaheshin me 18 dhe 25 dhjetor.

Arsyeja e shtyrjes së zgjedhjeve, sipas Osmanit, është niveli i rrezikshmërisë.

Osmani më tej kishte bërë të ditur se ka pranuar një raport të përbashkët të Policisë dhe Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për vlerësim të nivelit të rrezikut në pjesën Veriore të vendit.

Zgjedhjet në Veri ishte paraparë që të mbahen më 18 dhjetor të vitit të kaluar.

Dorëheqja e zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës në nivel politik dhe administrativ, erdhi meqë Qeveria fillojë implementimin e sekuencuar të vendimit për qortimin dhe gjobitjen e atyre që bartin targa ilegale të prodhuara në Serbi.

Katër kryetarët e komunave veriore dorëheqjen e tyre e kishin dhënë të dielën e gjashtë nëntorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore