Sport

FIFA pranon projektin e Superligës, por jo asaj Evropiane


Gjatë prillit të vitit 2021, projekti i Superligës Evropiane, që kishte 12 skuadra që krijuan një ligë të re futbolli, shkaktoi tërmet në sportin më të ndjekur në planet.

Edhe pse ideja u ‘shua’, të paktën publikisht, për 72 orë – ka muaj tashmë që po bëhet punë në prapaskenë për t’u kthyer me një version që iu intereson të gjithëve.

Mirëpo, çfarë u vu re shumë gjatë kohës kur Superliga po krijohej, ishte kundërshtimi me të gjitha forcat nga organi më i lartë i futbollit në botë, FIFA.

Së bashku me Ceferin dhe UEFA, presidenti i FIFA-s, doli kundër propozimit të Florentino Perez duke ndalur eventualisht shndërrimin në realitet të Superligës.

Mirëpo, dhjetë muaj më vonë, FIFA, si për çudinë e të gjithëve, ka pranuar një projekt tërësisht të njëjtë.

Bëhet fjalë për Superligën e Afrikës.

Superliga e Afrikës do të mbledhë së bashku, në tri kategori, ekipet më të mira të kontinentit afrikan.

Ligat do të ndahen në: Ligën veriore, Ligën qendër-perëndimore dhe Ligën juglindore.

Në këto tri liga, do të mblidhen 24 skuadrat më të mira nga kontinenti i Afrikës, të ndara në tetë skuadra për grup.

Ky projekt pritet që të mbledhë më shumë se 200 milionë euro në vit të ardhura për futbollin afrikan.

CAF, organi më i lartë i futbollit afrikan, së bashku me FIFA-n pritet që të zyrtarizojnë fillimin e këtij kompeticioni, në vitin 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore