Sport

“FIFA duhet të ketë më shumë respekt për kroatët”- Trajneri i Kroacisë bojkotoi votimet e “FIFA The Best Football Awards”


Trajneri i kombëtares së Kroacisë, Zlatko Dalic, bojkotoi votimet për më të mirët e ”The Best FIFA Football Awards”, ceremoni që u organizua në Paris.

Në votimet për lojtarin më të mirë të FIFA-s, kishin drejtë vote trajnerët dhe kapitenët e kombëtareve, si dhe gazetarët.

Por, Dalic vendosi të mos merrte pjesë në këtë votim, derisa këtë vendim e shpjegoi me anë të një letre, e cila u publikua në faqen e Federatës së Futbollit të Kroacisë.

Dalic tha se FIFA nuk pati respekt për lojtarët e kombëtares së tij, duke mos nominuar më shumë lojtarë, por vetëm Luca Modric-in.

“Jam vërtetë i zhgënjyer me qëndrimin e FIFA-s që ka ndaj kombëtares kroate”, tha fillimisht Zlatko Dalic.

“Jam i bindur që gjithçka që kemi arritur si kombëtare, meritojmë më shumë respekt sesa kemi marrë nga organi drejtues i futbollit botëror. Jemi e vetmja Kombëtare që kemi qenë në top katërshe në Botërorin e Katarit dhe në Ligën e Kombeve”, shtoi trajneri i Kroacisë.

“Së bashku me Francën, ne jemi ekipi i vetëm që kemi fituar dy medalje në dy Kupat e Botës të fundit. Në 23 ndeshjet që kemi luajtur që nga fillimi i ‘Euro 2020’, kemi humbur vetëm dy herë. Pse Kovacic, Gvardiol dhe Livakovic nuk ishin kandidatë për të fituar çmime individuale?”, thotë Dalic.

“Unë e shoh listën e 14 të nominuarve për lojtarin më të mirë të FIFA-s dhe përveç të madhit Luka Modric, ku janë lojtarët e tjerë kroatë? Ndjeva mungesë respekti ndaj Kroacisë. FIFA duhet ta promovojë më shumë Kroacinë. Unë dua më shumë respekt për ne, për kombëtaren tonë, për lojtarët tanë dhe për veten”.

“Kemi marrë dy medalje në Botërore. Duke marrë parasysh të gjitha sa më sipër, unë kam vendosur të mos marr pjesë në procesin e votimit për çmimet e këtij viti”, shtoi trajneri kroat.

Mes tjerash, Dalic uroi të gjithë për çmimet e fituara, por urime më special shkon për kapitenin e ekipit të tij.

“Dua të përgëzoj të gjithë fituesit për çmimet e merituara. Veçanërisht Luka-n, për vendin e katërt, edhe pse për mua është gjithmonë do të mbetet numri një”, theksoi trajneri i Kroacisë, që fitoi medaljen e bronztë në Katar 2022.

Kujtojmë që Messi e fitoi çmimin “FIFA The Best Football Awards” me 52 pikë në vendin e parë, duke e lënë në vendin e dytë Karim Benzema-n me 44 pikë dhe Kylian Mbappe pati 34 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore