Shqipëria

Fier: Aplikuan për të ndjekur Formimin Policor/ Skualifikimi vjen nëse nuk plotësohen kriteret


Imazh ilustrues.

Nga Policia e Fierit të hënën e 1 nëntorit u njoftua se skualifikimet e aplikantëve për t’u futur në Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë për Patrullë të Përgjithshme, kanë ardhur pasi çdo kriter i vendosur duhej të plotësohej.

Duke iu refruar akuzave që kanë qarkulluar në media si “të padrejta” për sa i përket kësaj çështje, Policia bëri me dije se aplikantët janë skualifikuar pikërisht për këtë fakt.

“Gjatë fazës së verifikimit të dokumentacionit, nëse aplikantët nuk plotësojnë qoftë edhe nje kriter të vetëm, ata skualifikohen në bazë të ligjit nr.108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’ dhe urdhrit nr. 846, datë 15.09.202”.

Sipas njoftimit thuhet se janë 21 aplikantë që nuk kanë plotësuar kriteret në lidhje me vendimin e skualifikimit.

Pesë prej tyre kanë qenë për shkak të moshës dhe 16 për mosplotësim të pikës gjashtë germa f – të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtje penale me dashje – dhe pikës nëntë – kriteri i besueshmërisë.

Aplikantët, pasi janë njohur me vendimin e skualifikimit, mund ta ankimojnë vendimin në Komisionin e Posaçëm të Ankesave të ngritur pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Kjo e fundit i shqyrton ankesat e tyre brenda tre ditëve. Aktualisht nga 21 aplikantë të skualifikuar, nëntë prej tyre kanë depozituar ankimimin e vendimit.

Në përfundim të njoftimit u theksua fakti se, “Drejtoria Vendore e Policisë Fier siguron aplikantët dhe të gjithë qytetarët se ka zbatuar me rigorozitet të gjitha procedurat ligjore gjatë fazës verifikuese të dokumentacionit të aplikantëve”.

Më 15 shtator u hapën aplikimet për 500 vende në Shkollën me Bazë Policie, konkretisht për “Patrullë të Përgjithshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore