Sport

FFK shqyrton mundësinë e vendosjes së VAR-it edhe në Ligën e Parë


Federata e Futbollit të Kosovës, është duke shqyrtuar mundësinë e vendosjes së teknologjisë VAR në futboll, edhe në ndeshjet e Ligës së Parë të Kosovës.

Në mbledhjen e mbajtur nga Komiteti Ekzekutiv në FFK, u diskutua mundësia që teknologjia në futboll të përdoret edhe në kategorinë e dytë të futbollit kosovar.

Kjo iniciativë nga drejtuesit e FFK-së, vjen pas suksesit që pati VAR-i në aplikimin e ndeshjeve të Superligës, që filloi të përdorej që nga ky edicion.

“KE analizoi rrjedhën e deritashme të garave duke konstatuar se garat po rrjedhin mjaft mirë, ndërkaq që aplikimi i sistemit të VAR-it u vlerësua si shumë i dobishëm që reflektoi siguri, duke mënjanuar gabimet eventuale, për të hequr dilemat te futbollistët, gjyqtarët, trajnerët dhe të adhuruesit”.

“Pra kjo ka dhënë kontribut të madh në mbarëvajtje jashtëzakonisht të mirë të garave. Prandaj KE diskutoi që të krijohen mundësitë që sistemin VAR ta fillojë ta aplikojë edhe në Ligën e Parë nga kampionati i ardhshëm e pse jo në ndonjë ndeshje me rëndësi edhe në këtë Kampionat, por kjo kërkon një analizë të gjithanshme”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Ndër tjerash, në mbledhjen e mbajtur në FFK, u diskutua edhe për ekipet e kombëtares A dhe të grupmoshave të tjera në kategorinë e meshkujve dhe atë të femrave.

Njëra ndër diskutimet më të rëndësishmet ishte për emërimin e trajnerit të ri të kombëtares A të Kosovës ku u diskutuan një varg emrash për këtë post, pas shkëputjes së bashkëpunimit me përzgjedhësin Challandes.

“Në këtë drejtim KE me kujdes të veçantë do të shqyrtojë dhe analizoi çdo kandidaturë të mundshme në mënyrë që në fillim të vitit të ri FFK-ja ta ketë njeriun e duhur që do ta drejtojë Kombëtaren A”, thuhet në FFK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore