Sport

FFK-ja për stadiumin: E morëm në menaxhim në gjendje të mjerueshme, punëtorët s’janë paguar me muaj të tërë


Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar pas akuzave të shumta që i janë bërë lidhur me gjendjen e fushës në “Fadil Vokrri”.

Në reagim FFK-ja është arsyetuar se e ka marrë nën menaxhim stadiumin në “kushte të mjerueshme”, atëherë kur askush as nga institucionet e as nga organizatat sportive nuk ka pasur as vullnet e as gatishmëri për të marrë nën menaxhim këtë impiant sportiv.

“Jemi të vetëdijshëm se në situata të tilla më e lehta është hedhja e fajit tek tjetri, por nuk duhet harruar faktin se në çfarë gjendje është marrë stadiumi. Punëtorët aty kanë qenë të angazhuar nga komuna, por nuk janë paguar me muaj të tërë përderisa FFK ka vendosur ta marrë përgjegjësinë edhe për pjesën e punëtorëve të angazhuar”, thuhet në reagim.

“FFK nuk mund ta marrë barrën për gjendjen e tillë të fushës, duke e ditur stërngarkesën e aktiviteve (jo vetëm sportive) në këtë stadium gjatë këtij viti. Askush nga institucionet, qoftë të nivelit lokal apo qendror, nuk është marrë asnjëherë me çështjen e fushës, ndonëse prej shumë kohësh e kemi ngritur zërin për urgjencë dhe për nevojën e një stadiumi alternativë”.

Po ashtu potencohet se FFK-ja “asnjëherë nuk ka marrë asnjë subvencion për mirëmbajtjen e kësaj fushe nga institucionet”, e që brenda një viti menaxhimi i saj i kushton mbi 100 mijë euro.

“Madje, askush nuk përkujdeset për asnjë dëmtim apo avari që bëhet në stadium gjatë zhvillimit të ndeshjeve, përveç FFK-së. Pagesa e vetme që kryhet nga klubet që i zhvillojnë ndeshjet aty është fatura e reflektorëve, kur ndeshjet zhvillohen në orët e mbrëmjes”.

“Ndonëse nuk ka pronësi mbi stadiumin, FFK është e gatshme që ta realizojë projektin me bari hibrid, por meqenëse tani nuk premton koha e nevojshme prej dy muajsh për një gjë të tillë, ka angazhuar kompani private me ekspertë për ta mirëmbajtur në mënyrën më të mirë të mundshme fushën aktuale dhe do të bëjë çmos që ta rikëndellë atë për aq sa ekzistojnë mundësitë”.

Sipas FFK-së, nëse vazhdohet me një neglizhencë të tillë të institucioneve ndaj këtij problemi, atëherë FFK është e gatshme t’ia kthejë menaxhimin komunës apo kujtdo tjetër nëse ka të interesuar.

“Atëherë do të presim nëse fusha do të jetë e pranueshme për ndeshjet ndërkombëtare apo do të jemi të shtrënguar të shfrytëzojmë alternativën e dytë – atë të zhvillimit të ndeshjeve jashtë vendit, siç kemi bërë në vitet e para pas pranimit në UEFA e FIFA”.

Komuna e Prishtinës demanton deputeten Pacolli: Mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri” përgjegjësi e FFK-së

Ndërsa Komuna e Prishtinës e ka mohuar se është përgjegjëse për mirëmbajtën e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë pas kritikave që pati për gjendjen e stadiumit gjatë ndeshjes eliminatore për “Euro 2024” mes Kosovës e Izraelit të zhvilluar të dielën.

“Gjatë ditës kanë qarkulluar informata të pasakta se mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri” është në përgjegjësi të Kryeqytetit Prishtina, dhe se institucioni nuk është kujdesur për fushën e stadiumit. Ju informojmë se mirëmbajtja e stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri” nuk është përgjegjësi e Kryeqytetit Prishtina, por është obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës”, thuhet në reagim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore