Film

Festivali saudit i filmit ‘pa censurë’ nuk arrin t’i shuajë kritikat


Në Arabinë Saudite, një festival ndërkombëtar i filmit ka shtruar tapetin e kuq për një mori aktorësh dhe regjisorësh të famshëm.

Kështu, festivali ka premtuar një ngjarje me “zero censurë” që do të shfaqë tema LGBTQ+ pavarësisht se do të mbahet në një vend ku homoseksualiteti është i kriminalizuar.

Pesë vjet që kur monarkia e Gjirit hoqi një ndalim prej dekadash të kinemave, festivali ndërkombëtar i filmit në Detin e Kuq nisi të enjten për të vazhduar me 10 ditë shfaqje.

Të ftuarit përfshijnë aktoren dhe regjisoren libaneze Nadine Labaki, si dhe regjisorët e tjerë Guy Ritchie dhe fituesin e Oscar-it Spike Lee.

Festivali, tani në vitin e tij të dytë, ka debutuar në vitin 2021 nën akuzat se qeveria e Arabisë Saudite po përdorte kulturën për të zbardhur të dhënat e saj të dobëta të të drejtave të njeriut.

Paçka reformave të ligjeve sociale, Princi i Kurorës dhe sundimtari de facto i vendit, Mohammed bin Salman, ka mbikëqyrur një rritje të ekzekutimeve dhe ka shtypur mospajtimin politik.

Po ashtu ai është dënuar gjerësisht për drejtimin e ndërhyrjes së Arabisë Saudite në luftën civile në Jemen dhe sipas inteligjencës amerikane, ka të ngjarë të ketë urdhëruar vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Producenti Mohammed Al Turki ka treguar se ka “pak hipokrizi perëndimore” kur bëhet fjalë për kritikat mbi mbajtjen e një festivali filmi në Arabinë Saudite.

Ai ka shtuar se ishte i emocionuar për të pritur një ngjarje në shtëpinë e tij, diçka që do të ishte e pamundur vetëm pak vite më parë.

Kaleem Aftab, drejtori i programimit ndërkombëtar në festival, ka thënë se nuk ka kufizime të mandatuara nga qeveria për filmat që ai mund të zgjedhë.

Teksa festivali e përshkruan veten si të pavarur, organizata mbështetet në fondet shtetërore dhe sponsorizimet nga kompanitë e lidhura me qeverinë dhe shihet si një mënyrë për mbretërinë për të nxitur investimet në industrinë e saj embrionale të filmit dhe televizionit.

Sakaq, organizatorët shpresojnë që prodhimeve të Lindjes së Mesme që mund të anashkalohen dhe të mos promovohen në festivale të tjera ndërkombëtare t’u jepet një shans për të shkëlqyer.

Dana Ahmed, një studiuese e Lindjes së Mesme në Amnesty International, ka thënë se festivali duhet parë brenda kontekstit të autoriteteve që “nuk kanë tolerancë për lirinë e shprehjes”.

“Është e rëndësishme të theksohet në mes të përpjekjes reformiste të Arabisë Saudite se shtypja e vazhdueshme e autoriteteve ndaj lirisë së shprehjes do të thotë se të gjithë janë në rrezik të dekadave në burg për fjalën e tyre të lirë”, ka shtuar ajo.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore