Libra

“Ferri” kuptohet më mirë gegnisht’ – Meritan Spahija përkthen Dante Alighierin


“Ferri” i Dante Alighierit, përkthyer nga Meritan Spahija

Në 700 vjetorin e vdekjes së poetit më të madh në gjuhës italiane, Dante Alighierit, në katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, të mërkurën, u organizua një event nga Shtëpia Botuese ‘Bard Books’, ku u diskutua për “Komedinë Hyjnore” me përkthyesin më të ri të librit të parë, Ferrit, Meritan Spahija.

Për Albanain Post, përkthyesi Spahija tha se “sot, siç po flasim jam në një gjysmë Purgatori, në një gjysmë mali. Është një punë që kërkon kohë. P.sh Ferri me ka kushtu kohë, 10 vjet”.

“Përkthimi që unë sot sjelli para lexuesve, e ka edhe një gjë të veçantë, përveç se është një përkthim i ri, ka edhe komente. Është hera parë që Dante Alighieri vjen edhe me komente të imëta në gjuhën shqipe”, tha ai.

Në këtë event diskutimi dhe promovimi morën pjesë edhe shkrimtarët dhe profesorët, Ag Apolloni dhe Stefan Çapaliku, ku treguan për peshën e veprës së poetit të madh italian.

Ndërsa vetë autori tregoi përse vendosi që veprën ta përkthejë në dialektin e gegërishtes.

“Ne, në gjuhën shqipe fatmirësisht i kemi dy dialekte. Dialektin e toskërishtes, dhe dialektin e gegërishtes. Karakteristikë e dialektit të toskërishtes është shumërrokësia, ka shumë rrokje. Për të njëjtën fjalë gegërishtja është më e shkurtë se sa toskërishtja” tha ai.

Tutje ai vazhdoi se “nuk them se gegërishtja ka avantazhe, ose toskërishtja ka avantazhe. Por, në poezinë epike, gegërishtja ka avantazhe”.

Meritan Spahiaj e sheh domosdoshmërinë e përkthimin e tij në faktin se ka kaluar një kohë shumë e gjatë që nga vdekja e poetit, dhe se 700 vjet janë një distancë kohore epokale. Por edhe se gjuha e poetit është një gjuhë shumë ndryshe nga e jona, por edhe nga italishtja e sotme.

Ai shtoi se, siç shprehet edhe shkrimtari i madh italian Umberto Eko, “është e pamundur të sillet Dante Alighieri pa komente”.

“Nëse dikush e merr përsipër ta sjellë atë në një gjuhë tjetër, patjetër duhet ta shoqërojë atë me komente përkatëse, gjuhësore, historike edhe teologjike; sepse Dante e ka veshë Komedinë e tij me pektun e besimit të kohës”.

Meritan Spahija dhe Ag Apolloni

Dante Alighieri lindi në Firence në vitin 1265. Ai vargjet e tij i shkroi në gjuhën popullore, duke zgjedhur dialektin tuskan, në një kohë kur poezia përgjithësisht kompozohej në latinisht, që do të thotë se lexohej vetëm nga ata më të shkolluarit.

Meritë e qasjes joortodokse të Dantes është se letërsinë ai e bëri të arritshme për publikun, si dhe u hapi rrugën shkrimtarve të rëndësishëm italian siç janë Françesko Petrarka dhe Xhovani Boccaccio.

Ministria e Artit dhe Kulturës në Itali e ka shpallur vitin 2021 si “Vit të Dantes”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore