Shqipëria

Faza e dytë e parkut diellor lundrues të Banjës përfundon brenda vitit


Faza e parë e ndërtimit të parkut diellor lundrues më të madh në rezervuarin e Banjës prej 2MW-ësh është përmbushur pasi u lidh në rrjet.

I gjithë termocentrali pritet të furnizojë Shqipërinë me energji elektrike brenda fundit të vitit.

Lajmi u bë i ditur nga GCL System Integration Technology.

Kjo e fundit, njoftoi se faza e parë e projektit më të madh diellor lundrues në Shqipëri, për të cilin GCLSI po furnizon module, është lidhur me sukses me rrjetin.

Në partneritet me kompaninë norvegjeze ‘Ocean Sun’, zhvillues i teknologjisë diellore lundruese, GCLSI është furnizuesi i moduleve diellore për projektin 2 MWp në rezervuarin e Banjës, projekti më i madh i këtij lloji në rajon, i cili aktualisht është në ndërtim.

“Ne jemi krenarë që modulet tona të patentuara do të luajnë një rol kyç në këtë projekt të madh diellor lundrues në Shqipëri”, deklaroi Thomas Kun Zhang, president ekzekutiv i GCLSI.

Projekti, me një investim total të vlerësuar prej 2 milionë eurosh, u menaxhua nga Statkraft, së bashku me Ocean Sun.

Faza e parë e zbatimit të projektit përfshin rreth 1 mijë e 600 module diellore me një sipërfaqe prej afro 4 mijë metra katrorë dhe një kapacitet të instaluar prej 0.5 MW.

Impianti u vu në punë së fundi me sukses dhe u lidh me rrjetin.

Faza e dytë do të shtojë një kapacitet total prej 1.5 MW-ësh dhe ndërtimi pritet të përfundojë këtë vit.

Pasi të përfundojë, termocentrali do të gjenerojë energji të rinovueshme dhe do të furnizojë energji elektrike në rrjetin shqiptar.

Riparimi

Ocean Sun, me bazë në Norvegji, njoftuar në muajin prill se platforma lundruese fotovoltaike në liqenin e Banjës është rivënë në punë.

Përkrahësit e teknologjisë theksojnë se mbulimi i një liqeni me panele diellore redukton avullimin, prandaj është veçanërisht i dobishëm për operatorët e hidrocentraleve.

Statkraft vuri në punë njësinë e parë të tillë fotovoltaike në Ballkan pothuajse një vit më parë, por fatkeqësia goditi vetëm pak ditë më vonë.

Gjatë muajit qershor, Ocean Sun pësoi një aksident me pjesën e parë të këtij projekti, prej 0.5 megavat, pas një stuhie.

Sipas kompanisë, impianti ishte pjesërisht i zhytur në ujë dhe kishte nevojë për riparim.

Platformat fotovoltaike në rajon

Ocean Sun, i cili gjithashtu ka zyra në Singapor dhe Shangai, tha se dizajni i termocentralit lundrues u verifikua nga DNV, ofrues i pavarur i sigurimit dhe menaxhimit të rrezikut.

Kompania norvegjeze theksoi se, deri në fund të vitit, pret të hyjë edhe në disa tregje të tjera.

Një tjetër projekt i centralit diellor lundrues është duke u zhvilluar në Shqipëri. Shërbimet publike private dhe shtetërore në Greqi, Rumani dhe Mal të Zi po bëjnë gjithashtu hapat e parë për të përdorur teknologjinë e re.

Ndërtimi i situatës

Më 5 maj 2021, kompania diellore lundruese, Ocean Sun, përfundoi së bashku me kompaninë Stakraft, fazën e parë të implementimit të një platforme lundruese mbi liqenin e Banjës, për prodhimin e energjisë diellore.

Më 3 qershor ndërkaq, platforma filloi zyrtarisht operimin tregtar. Në një fazë të dytë, pas testeve fillestare, pritej të vendoseshin edhe tre platforma të tjera të tilla.

Por, asokohe në lundrim mbi ujërat e liqenit të Banjës, nuk kishte më asgjë!

Disa raportime nga website-i i njohur i energjisë së rinovueshme, Offshore Energy, tregonin për një dëmtim madhor të strukturës, duke e lënë atë gjysmë të zhytur në ujë.

Albanian Post provoi të kontaktonte në atë periudhë me të dyja kompanitë, por asnjëra prej tyre nuk u përgjigj mbi çështjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore