Lajme

FAZ: Ushtria e Kosovës po formohet me ndihmën e NATO-s, përfundon për dhjetë vjet


Ushtria e Kosovës

Gazeta gjermane “Frankfurter Algemeine Zeitung”, shkruan se me ndihmën e vendeve anëtare të NATO-s, po formohet “nën heshtje” ushtria e Kosovës dhe procesi “duhet të përfundojë për dhjetë vjet”.

Artikulli vlerëson se “për shkak të qëndrimit jashtëzakonisht proamerikan të popullit shqiptar në Kosovë, forcat e armatosura do të ishin partnerë të besueshëm të politikës së sigurisë së NATO-s në rajon”.

“Dallimin kur është fjala për Kosovën e bën sidomos prezenca amerikane në bazën Bondsteel jo larg kufirit me Serbinë. Përveç kësaj, me ndihmën e shumicës së vendeve të NATO-s, po formohet një ushtri”, thuhet në artikull.

Megjithatë, siç shkruan FAZ-i, “NATO-ja heziton të flasë për përfshirjen e saj në formimin e kësaj ushtrisë, me vlerësimin se ka të bëjë me planin e paqes të ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari”.

Duke shtuar se në planin e e Ahtisaarit, “nuk përmendej ushtria, të paktën jo me atë emër”, shtohet se “bëhej fjalë kryesisht për ish-vullnetarët shqiptarë të Kosovës, pjesëtarë të forcave të parregullta”.

Ndërkaq, sipas të përditshmes gjermane, “në formimin e ushtrisë së Kosovës janë përfshirë disa ushtri perëndimore dhe Bundeswehr-i luan një rol udhëheqës”.

“Në vitin 2018, ai vendosi më shumë se 40 automjete terreni të tipit ‘Ujku’, duke përfshirë edhe punëtori, si shprehje e dukshme e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Bundeswehr-it dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës”.

“Në ushtritë anëtare të NATO-s, oficerët e Kosovës janë gjithashtu mysafirë në kurse dhe ushtrime”, dhe vihet në pah se “në ndërtimin e ushtrisë së Kosovës, përveç amerikanëve dhe gjermanëve, spikasin Britania e Madhe dhe Turqia”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore