Lajme

Familjet kanadeze fitojnë kompensim për avionin e rrëzuar nga Irani


Një gjykatë kanadeze ka dhënë 107 milionë dollarë kanadezë (62 milionë £; 84 milionë dollarë), plus interes, për familjet e gjashtë personave që vdiqën kur një aeroplan u rrëzua pranë Teheranit në vitin 2020.

Anëtarëve të familjes iu dha kompensimi nga Gjykata e Lartë e Drejtësisë në Ontario, pasi humbën bashkëshortët, vëllezërit e motrat, fëmijët, mbesat dhe nipërit.

Fluturimi PS752 i kompanisë “Ukraina International Airlines” u godit nga dy raketa pak minuta pasi u ngrit. Qeveria iraniane deklaroi se e ngatërroi avionin për një raketë amerikane.

Të gjithë 176 personat në bord vdiqën.

Ata përfshinin 55 kanadezë dhe 35 banorë të përhershëm të Kanadasë. Familjarët kishin ngritur një padi civile kundër qeverisë së Iranit dhe zyrtarëve të tjerë që ata thonë se ishin fajtorë për incidentin.

Nuk ishte menjëherë e qartë se si do të mblidheshin paratë nga Irani. Avokati i të afërmve, Mark Arnold, tha se ekipi i tij do të kërkonte të sekuestronte asetet iraniane në Kanada dhe jashtë saj, të cilat mund të përfshijnë cisterna nafte.

Kjo është hera e parë që kompensimi u jepet familjeve të viktimave, raporton agjencia e lajmeve “CBC”, duke shtuar se  qeveria e Irani-t nuk u mbrojt në gjykatë.

Vitin e kaluar, një raport nga qeveria kanadeze tha se Irani ishte “plotësisht përgjegjës” për rrëzimin e aeroplanit dhe se ai kishte qenë rezultat i “paaftësisë” dhe “pamaturisë”.

Autoritetet iraniane fillimisht mohuan përgjegjësinë për incidentin, i cili ndodhi më 8 janar 2020. Por ndërsa provat u mblodhën, Forcat Ajrore të Gardës Revolucionare thanë se një njësi e mbrojtjes ajrore kishte ngatërruar Boeing 737-800 me një raketë amerikane.

Mbrojtja ajrore e Iranit kishte qenë në gatishmëri të lartë sepse vendi sapo kishte lëshuar raketa balistike në dy baza ushtarake irakiane që strehonin forcat amerikane. Kjo ishte si hakmarrje për vrasjen e gjeneralit të lartë iranian, Qasem Soleimani, në një sulm me dron amerikan në Bagdad pesë ditë më parë goditjes së fluturimit civil.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore