Lajme

Familjarët për një nga të ndaluarat në burgjet izraelite: “Viktimë e një gabimi, nuk ishte terroriste”


Nuk do të ketë festime për lirimin e 37-vjeçares Israa Jabis.

Asnjë festë apo banket me të afërmit dhe miqtë, siç do ta kishte tradita për momente gëzimi.

Pa flamuj, pa tubime në rrugë.

“Policia erdhi për të na thënë se ata nuk tolerojnë as shpërndarjen e ëmbëlsirave, nuk do të lejohet asgjë publike që edhe në mënyrë indirekte mund të duket si mbështetje për Hamasin”.

Kështu ka rrëfyer vëllai i saj 30-vjeçar Suhaib, i cili ka një kompani ndërtimi në Jerusalemin Lindor.

Dhe kompania punon krah për krah me ato izraelite dhe nuk ka ndërmend të vuajë sanksione që kufizojnë punën.

Ekipi i të përditshmes italiane “Corriere della Sera” mbërriti në shtëpinë e familjes Jabis pasditen e djeshme, pak orë pas publikimit të listës me 300 emra të grave dhe fëmijëve të ndaluar në burgjet izraelite për “arsye sigurie”, nga të cilat 150 do të zgjidhen për t’u shkëmbyer me 50 pengje izraelite.

“Ne nuk kemi sigurinë matematikore që ajo do të lirohet menjëherë, por autoritetet izraelite dhe gazetarët palestinezë e sugjerojnë këtë”, ka thënë i vëllai.

Për t’i vizituar duhet të anashkaloni rrugët e varfra dhe të ndriçuara keq të pjesës arabe të Jerusalemit.

Ras El Amud është një luginë e ngushtë e dominuar nga muret rreth Murit Perëndimor, Malit të Ullinjve dhe lagjeve të reja hebreje në malësi.

Atyre u bashkohen edhe nëna 58-vjeçare Muntaa dhe motra e madhe Mona.

“Në mëngjesin e 11 tetorit 2015, Israa po kthehej nga puna në një kopsht fëmijësh fshati drejt Betlehemit, kur në postbllokun izraelit të Zaiem, Subaru-ja e saj e vjetër mori flakë për shkak të një avari. E frikësuar nga flakët, ajo bërtiti Allah Akbar, të cilën ushtarët e ngatërruan me moton e kamikazëve islamikë. E kapur menjëherë, edhe pse e djegur rëndë, ajo u gjykua dhe u dënua me 11 vjet burg”.

Kjo është historia e saj e treguar prej tyre.

Por pse ajo nuk mund të ishte një terroriste?

“Ajo nuk ishte e armatosur, nuk kishte eksploziv. Kishte një bombol gazi të përdorur, të cilën duhej ta mbushte. Ajo ka një djalë, Moatassem, i cili ishte 6 vjeç atëherë dhe tani 14. Ajo nuk tregoi kurrë një prirje për asnjë lloj militantizmi politik dhe gëzon privilegjet e banorëve arabë të Jerusalemit Lindor, të cilët janë shumë më mirë se ata në Bregun Perëndimor”.

“Izraelitët kanë bërë një nga padrejtësitë e shumta ndaj nesh, ata e dinë shumë mirë që Izraeli nuk paraqet asnjë rrezik, aq sa tani janë gati ta lirojnë edhe pse kanë mbetur tre vjet deri në përfundimin e dënimit të saj”.

Sipas fjalëve të nënës dhe motrës, njeriu ndjen një armiqësi të fshehur.

Të dyja kujtojnë vilën e tyre të bukur të shkatërruar nga buldozerët izraelitë në vitin 1980 me justifikimin se ishte ndërtuar pa leje.

“Ndërtojnë ku të duan pa problem, por ne nuk lëvizim dot një tullë”.

Vitet e fundit ata kanë shkuar me radhë për të vizituar Israan, të vetmen herë në muaj të lejuar në burgun e sigurisë maksimale Damon,.

“Ne u miqësuam me anëtarë të tjerë të familjes së grave dhe fëmijëve që tani mund të liroheshin për shkëmbim me Hamasin”, kanë treguar ato.

Megjithatë, nuk duan të flasin për grupin islamik.

“Shumë e rrezikshme për ne. Izraelitët dëgjojnë gjithçka, por është e qartë se Hamasi është më popullor sot se kurrë”, pëshpëritin.

Por gazetarët e Al Quds, gazetës pro-Fatah në Bregun Perëndimor, janë shumë më të qartë:

“Hamasi nuk ka qenë kurrë më i fortë. Njerëzit i shohin si ngjitësin e bashkimit tonë kombëtar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore