Aplikacione

Facebook-u u jep përdoruesve ‘më shumë kontroll’


Media sociale, Facebook, po prezanton veçori të reja për t’u dhënë njerëzve më shumë kontroll mbi atë që shfaqet në burimet e tyre të lajmeve.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se Facebook-u ka qenë nën një shqyrtim intensiv vitet e fundit për mënyrën sesi algoritmet e tij promovojnë përmbajtjen.

Kështu që tani, ai po teston kontrollet për të “rregulluar renditjen e preferencave të njerëzve” dhe për të personalizuar furnizimin.

Veçoria e re përfshin rritjen e numrit të postimeve nga miqtë dhe të afërmit dhe zvogëlimin e atyre nga grupet dhe faqet.

Gjithashtu do t’i bëjë kontrollet që ekzistojnë “më të lehta për t’u aksesuar”, sipas Facebook-ut. Këto, të tilla si të preferuarat dhe veçoritë e shtyrjes, të cilat kryesisht janë brenda një nënmenuje të cilësimeve.

“Do të nisim testimin në vende të botës për një përqindje të vogël njerëzish, duke u zgjeruar gradualisht në javët në vijim”, ka zbuluar Facebook-u në postimin e tij të njoftimit.

“Kjo është pjesë e punës sonë të vazhdueshme për t’u dhënë njerëzve më shumë kontroll mbi burimin e lajmeve, në mënyrë që ata të shohin më shumë çka duan dhe më pak çka nuk duan”, ka vijuar njoftimi i tij.

Lëvizja vjen pasi Facebook-u dhe kompania e vet mëmë e sapo emëruar Meta, gjenden nën presion politik për t’i lejuar përdoruesit të shmangin sistemet e renditjes, tregon “BBC”.

E ashtuquajtura “renditje e bazuar në angazhim” ka qenë një objektiv i përsëritur i kritikave në dëshminë e denoncueses së kompanisë, Frances Haugen, e cila ka pohuar se Facebook-u i jepte përparësi përmbajtjes përçarëse.

Megjithatë, kompania teknologjike nuk pajtohet me këtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore